Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së fundi ka paralajmëruar se mund të ketë sërish tensione në veri të vendit dhe situata mund të eskalojë.
Ai tha se ushtria serbe po përdor armët kineze për shfaqjen e agresionit ndaj Kosovës.
“Sistemi raketor FK-3 (versioni eksportues i HQ-22) është një nga armët kineze të përdorura nga Ushtria Serbe, duke përfshirë edhe dronët CH-92. Kjo e bën Serbinë operatorin e parë dhe të vetëm të armëve kineze në Evropë duke shfaqur hapur agresion të dhunshëm ndaj Kosovës”, ka deklaruar kryeministri.
Lidhur me këto paralajmërime, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, njëherësh anëtar i Komisionit për çështje të sigurisë në Kuvendin e Kosovës, thotë për Gazeta Blic se derisa nuk ka sanksione ndaj Serbisë për sulmin terrorist të 24 shtatorit, mund të inkurajohen veprime të ngjashme.
“Përderisa nuk ka asnjë sanksion ndaj Serbisë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, grupe të caktuara terroriste, të sponsorizuara nga Serbia, mund të inkurajohen për të ndërmarrë veprime të ngjashme”, thotë ai.
Dugolli thotë se kanë kërkuar dhe vazhdojnë të kërkojnë masa ndaj Serbisë për këtë sulm, që të mos përsëriten më.
“Ne kemi kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare për masa adekuate ndaj Serbisë dhe në të njëjtën kohë për t’u siguruar për se nuk do të përsëritën më”, shton ai për Gazeta Blic.
Sipas tij, vija kufitare me Serbinë vazhdon të jetë problematike dhe është mirë që NATO ka rritur prezencën e saj në KFOR.
“Është mirë qe NATO ka rritë prezencën e saj në KFOR me trupa shtesë sepse vija kufitare me Serbinë vazhdon të jetë problematike për shkak të gjatësisë së madhe dhe relievit malor”, potencon deputeti i VV-së.
Ai shton se institucionet e sigurisë në vend po vazhdojnë me kontrollet dhe vlerësimet e rreziqeve, ndërsa Qeveria po vazhdon me investimet për mbrojtje dhe siguri.
“Institucionet tona të sigurisë po vazhdojnë të kenë situatën nën kontroll duke kryer vlerësimet e rreziqeve dhe në koordinim me KFOT-n dhe EULEX-in adresojnë me kohë sfidat e sigurisë rend dhe ligj. Qeveria po vazhdon investimet për mbrojtje dhe siguri sepse sa më shumë që investojmë aq më shumë do kemi ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë”, deklaron deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli.












