Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, njëherësh kryetar i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Tregti, Industri dhe Ndërmarrësi, komentoi vendimin e qeverisë, e cila ndau 100 euro për fëmijët dhe për pensionistët.
Ai në një prononcim për Gazeta Blic, tha se pensionistët dhe fëmijët kanë nevojë dhe i meritojnë këto mjete, por që këto kategori iu nevojitet që familjarët e tyre të kenë vende pune.
“Ne e kemi parë vendimin e qeverisë pë ndarjen e 100 eurove për fëmijët dhe pensionistët. Qeveria nuk duhet dhe nuk do të jetë e preferueshme që t’i mbajë këto kategori me ndihma sociale. Këto kategori kanë nevojë që familjarët e tyre të kenë vende pune, të kenë hapësirë dhe mundësi që pensionistët të kenë pensionë të dinjitetshëm dhe që familjarët e fëmijëve të kenë hapësirë dhe mundësi që të punojnë dhe vetë t’i mbajnë fëmijët me ndihma dhe me punë që ata krijojnë“, tha ai.
Shala theksoi se ndihmat janë të nevojshme por që nuk zgjidhin porblem, nuk ofrojnë ndonjë zhvillim.
“Në të kundërtën po krijohen skema sociale të mvarëshmërisë së institucioneve dhe kategorive të caktuara nga shteti, pa krijuar perspektivë dhe pa krijuar dinjitet jetese. Ndihmat janë për momentin të nevojshme, por që janë afatshkurtër, nuk zgjidhin problem, nuk ofrojnë zhvillim dhe krijojnë mvarshmëri të panevojshme”, u shpreh Shala.
Tutje Shala deklaroi se shteti duhet të përmirësoj pagën, të rrisin pensionin për pensionistët dhe të krijojë kushte të dinjitetshme.
“Shteti duhet të përmirësojë pagën, për pensionistët ta rrisin pensionin, shteti duhet të krijojë vende pune për familjarët e fëmijëve, duhet të krijojë kushte të dinjitetshme që familjet t’i mbajnë me djersë dhe me punën e tyre“, tha Shala për Gazeta Blic.
Ai deklaroi se vitin e ardhshëm qeveria ka ndarë mbi 1 milionë euro për subvencione dhe shtoi se është një politikë shqetësuese, ku Shala shpreh shqetësimin se kjo qeveri po i dëmton me emër të asaj që quhen skema sociale.
“Është vendim i skemave sociale që tashmë kjo qeveri e majtë, të vetmin sukses e ka shpërndarjen e mjeteve kesh. Është një politikë jashtëzakonisht shqetësuese sa i përket çëstjes së hargjimit të parasë dhe moszhvillimit të vendit, definitivisht me karakter politik për të blerë kategori të caktuara të cilat kjo qeveri po i dëmton me emër të asaj që quhen skema sociale“, përfundoi Shala.












