Kryeministri i vendit, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje ka shpalosur të arriturat e Qeverisë para Këshillit të Përgjithshëm të partisë.
Kurti ka thënë se lufta kundër korrupsionit mbetet prioritet i tyre, teksa ka përmendur edhe rritjen e buxhetit për 35 përqind më shumë.
Ai gjatë fjalimit, duke rënditur arritjet e Qeverisë, ka thënë se në vendet e tjera as në ëndër nuk i shohin këto rezultate.
Por kjo deklaratë e Kurtit po shihet me skepticizëm nga analisti kosovar, Arbnor Sadiku.
Sadiku rendit disa nga dështimet e Qeverisë duke filluar nga arsimi, projektet infrastrukturore, zhvillimi ekonomik, politika e jashtme dhe dialogu.
“Rezultatet e dështimit në, arsim, projekte infrastrukturore, zhvillim ekonomik, poltikë jashtme (mos anëtarsim në ndonjë organizatë ndërkombëtare, apo marrjen e ndonjë njohje te re për Kosovën nga shtetet mos njohse), dhe për më keq në dialog me Serbinë” tha Sadiku për “Gazeta Blic”.
Ai tutje u shpreh se Kosova, me pranimin e Draftit të Asociacionit, ka pranuar një pushtet paralel në veri.
“Kemi pranuar një pushtet paralel, me pranimin e draft statutit te Asociacionit me shumicë serbe, si autonomi politike ,ekonomike, lokale dhe religjioze, që ka si qender te veten adminstrative Mitrovicen e Veriut” deklaroi Sadiku në një përgjigje dhënë për “Gazeta Blic”
Kryeministri Kurti sot gjatë adresimit ka thënë se me rezultatet e tilla të Qeverisë, janë të pakrahasueshëm me të tjerët.
“Në fund të këtij viti sukseset e Qeverisë janë të dukshme. Ne krahasohemi me veten, ndërsa jemi të pakrahasueshëm me të tjerët. Progresi në drejtësi është konfirmuar nga ndërkombëtarët.
Lufta kundër korrupsionit mbetet prioritet.
Ekonomia është ma e fortë se kurrë pavarësisht krizave”
“Qarkullimi i bizneseve ka arritur në 15.33 miliardë euro, eksporti 756.9 milionë euro. Është dyfishuar edhe numri i të rinjve të punësuar. Ekonomia e Kosovës për dy dekada është shndërruar për plaç për zhvatje. Të hyrat buxhetore 2.6 milionë euro. Ne po e tejkalojmë vetën. Në vendet e tjera as në ëndërr si shohin këto rezultate, këtë vit 15% më shumë të hyra se në vitin e kaluar. Buxhetin e kemi rritur për 35% më shumë”
“Ata para neve pasuroheshin individët, tash i ka kapur sikleti që po pasurohet shteti. Me këto të arritura duhet të jemi krenar dhe t’i afirmojmë ato. Ata që i denigrojnë këto mjete nuk i kuptojnë hallet e të gjithëve. Ata që i quajnë këto mjete lëmoshë, nuk e di se çka i mundon familjet”, ka theksuar Kurti.












