Prishtinë- Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila më 3 prill 2023, i kishte liruar nga akuza Luan Berishën, Driton Muharremin, Ilir Pushkën dhe Mehmet Sungurin, të akuzuar për keqpërdorime me fondet e “Llamkos-it”.
Vendimi i Apelit është marrë më 5 tetor 2023, në të cilin thuhet se është refuzuar si e pabazuar ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), ndërsa është vërtetuar aktgjykimi i Themelores, raporton “Betimi për Drejtësi”.
PSRK kishte ushtruar ankesë, duke pretenduar se është bërë shkelja e Ligjit Penal dhe se gjendja faktike është vërtetuar gabimisht, duke i propozuar Apelit që të shpall aktgjykim dënues për të akuzuarit.
Përgjigje në ankesën e PSRK-së, ka ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Sunguri, avokati Xhafer Maliqi, i cili i ka propozuar Apelit që aktgjykimi i Themelores të vërtetohet.
Po ashtu, përmes parashtresës edhe Prokuroria e Apelit ka propozuar që vendimi i Themelores të ndryshohet dhe të akuzuarit të dënohen dhe shpallen fajtorë sipas ligjit, kurse përgjigja në ankesë e avokatit Maliqi të refuzohet si e pabazuar.
Ndërkaq, në seancës e kolegjit të gjyqtarëve të Apelit, përfaqësuesja e palës së dëmtuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, Lida Sahiti, ka mbështetur ankesën e PSRK-së, duke propozuar që aktgjykimi i Themelores të ndryshohet. Kurse mbrojtësi i Berishës, avokati Ramë Gashi në atë seancë, ka propozuar që ankesa e PSRK-së të refuzohet, ndërkaq aktgjykimi i Themelores të vërtetohet.
Në vendimin e Apelit, sqarohet se pas vlerësimit dhe analizimit të pretendimeve ankimore të palëve në procedurë, kjo gjykatë ka ardhë në përfundimin se pretendimet ankimore nuk qëndrojnë dhe se nuk ka shkelje të tjera të procedurës penale nga Themelorja në këtë rast.
Sipas Apelit, dispozitivi i aktgjykimit të Themelores është i kuptueshëm, i qartë, nuk ka kundërthënie mes vete dhe se është konkret, duke përmbajtur të gjitha arsyet e duhura mbi të gjitha faktet relevante në këtë çështje penale.
Apeli ka gjetur se nga se nga dëshmia e dëshmitarëve e A.E, N.A, A.A, A.H, A.G, B.K, B.Z, M.S, R.S, S.M, Sh.P, është lexuar deklarata e të ndjerëve N.S, A.C, F.J, N.I, F.R, Sh.S, R.S, dhe nga provat materiale të administruara nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale që iu viheshin në barrë.
Prandaj sipas Apelit, shkalla e parë drejt ka ardhur në përfundimin se nga deklaratat e dëshmitarëve dhe provave materiale të administruara në shqyrtim gjyqësor, nuk është provuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale.
Gjithashtu, Apeli ka theksuar se Prokuroria në rastin konkret nuk ka identifikuar drejt palën e dëmtuar, për faktin se nuk është marrë deklaratë nga pala lidhur me transaksionet tregtare, që të dihet se a e mban përgjegjës të akuzuarin Berisha apo jo.
Kurse për të akuzuarit Muharremi, Sunguri dhe Pushkës, sipas Apelit të njëjtit nuk kanë pasur autorizime në ndërmarrje për të kryer kështu veprën penale për të cilën akuzoheshin.
Sipas Apelit, nuk qëndrojnë dispozitivi l dhe ll i aktakuzës, pasi që si dispozitiva mbështen në prova të paqëndrueshme dhe nga këto prova në asnjë rrethanë sipas Apelit nuk mund të vërtetohet se është kryer vepra penale “Shpëlarje parash”.
Ndërkaq, për transaksionin bankar midis të akuzuarit Muahrremi dhe Berisha, sipas Apelit është vërtetuar se ky transaksion ka qenë në formë huazimi për të akuzuarin Muharremi dhe se transaksionet e tilla janë të lejuara dhe se ndodhin në ekonominë e Kosovës.
Sa i përket pretendimeve të PSRK-së lidhur me shkelje e Ligjit Penal, Apeli gjen se shkalla e parë drejt ka aplikuar Ligjin Penal kur të akuzuarit i ka liruar nga akuza për shkak se nga provat e administruara qartazi nuk janë formësuar tiparet e veprave penale me të cilat akuzoheshin.
Në fund, Apeli ka shprehur bindjen se Themelorja ka ardhur në një përfundim të arsyeshëm ngase nga provat e administruara, nuk është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprat penale me të cilat akuzoheshin.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 9 tetor 2019 kishte paraqitur aktakuzën e ndryshuar, ashtu që Luan Berisha ngarkohej për veprën penale “Pastrim i parave”, kurse në bashkëkryerje me të akuzuarit Driton Berisha, Ilir Pushka dhe Mehmet Sunguri edhe për veprën penale “Keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”. Ata ngarkoheshin për keqpërdorim me fondet e ndërmarrjes “LLAMKOS”.
Të akuzuar në këtë rast ishin edhe Remzi Podvorica e Ramush Muli, si dhe A.K, mirëpo për ta është pushuar procedura penale. Detajet e aktakuzës në këtë rast mund t’i lexoni KËTU. /BetimipërDrejtësi













