Kryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriut nuk ka pranuar përgjigje nga KQZ dhe MAPL rreth kërkesës së tij për një sqarim në lidhje me kërkesën për peticionin për shkarkimin e kryetarit Erden Atiq. Lidhur me procesin e ri zgjedhor në Veri ka folur edhe Lajçak. Ai ka thënë se mbledhja e nënshkrimeve është hap pozitiv, derisa ka shtuar se procesi i ri zgjedhor duhet të vazhdojë në mënyrë të pavarur dhe para themelimit të Asociacionit.
Gazeta Express
Të hënën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i ka kthyer përgjigje tri komunave në Veri – Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – duke i njoftuar ato se anëtarët e tri grupeve nismëtare janë votues të komunave përkatëse.
KQZ i ka njoftuar edhe për numrin e përgjithshëm të votuesve dhe se sa është numri minimal prej 20 për qind për nënshkrim të peticionit.
“Numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në komunën e Leposaviqit është: 13 441. Nga ky numër, 2 689 përbëjnë 20% të trupës elektorale në këtë komunë. Në komunën e Zubin Potokut, numri i qytetarëve me të drejtë vote është: 6 732. 20% i votuesve në këtë komunë është: 1 347. Në komunën e Mitrovicës së Veriut, numri i votuesve është: 18 199. Sipas përllogaritjeve, 3 640 votues përbëjnë 20% të trupës elektorale”, tha zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, të hënën.
Mirëpo një sqarim nga KQZ dhe MAPL e ka kërkuar kryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriut, Nexhat Uglanin.
“Kemi marrë përgjigje se sa kanë të drejtë votues, sa përbëjnë 20 për qind dhe që tre anëtarët e asaj iniciative janë votues në pjesën veriore. Por na kemi kërkuar sqarim se ata duhet duhet me u regjistru si grup nismëtar për iniciativën. Kemi kërkuar sqarim prej MAPL’së dhe KQZ’së, por s’kemi marrë përgjigje”, tha Uglanin.
Në një prononcim për Gazetën Express, Uglanin tha se pa marrë përgjigje nga MAPL ose KQZ, nuk do t’i ndërmarrë hapat tjerë.
“Sipas udhëzimi administrativ ata kanë pasur të drejtë mu regjistru përmes kryesuesit të kuvendit, por kanë mundur edhe përmes KQZ’së, por atë të drejtë më duket se nuk e kanë kryer. Unë nuk i ndërmarr hapat pa marrë përgjigje prej MAPL’së qysh duhet me vazhdu më tutje”, tha ai.
Uglanin tregoi se çka ndodh pasi grupi nismëtar të regjistrohet.
“Menjëherë është e obligueshme për kryesuesin me ia siguru materialin dhe vendin ku do të mbajnë peticionin”, deklaroi ai për Express.
Zveçani ende në pikën zero
Kryesuesja e kuvendit komunal në Zveçan, Selvete Kelmendi, e ka refuzuar kërkesën e grupit nismëtar për peticion për shkarkimin e kryetarit Ilir Peci.
Në përgjigjen e Kelmendit, të cilën e ka parë Express, thuhet se kërkesa refuzohet “për faktin se kjo kërkesë bie në kundërshtim me dispozitat e nenit 4, paragrafi 3, e në veçanti paragrafi 2 i nenit 5 të Udhëzimit Administrativ (MAPL) nr. 02/2023 për Iniciativën e Qytetarëve për Largimin e Kryetarit të Komunës nga Funksioni”.
Gazeta Express e ka parë kërkesën e grupit nismëtar, në të cilën thuhet se “ky kryetar nuk ka legjitimitet që t’i përfaqësojë qytetarët të cilët në shumicë absolute kanë refuzuar të votojnë në zgjedhjet e prillit 2023”. Gjithashtu, iniciuesit e kërkesës për peticion thonë se “komuna nuk është në funksion dhe nuk ua ofron shërbimet bazike qytetarëve që ka për obligim t’ua ofrojë në pajtim me kompetencat komunale, por edhe se kryetari është duke marrë vendime që janë në kundërshtim me interesin e përgjithshëm publik”.
Gjatë ditës, Gazeta Express ka tentuar ta kontaktojë Kelmendin, por e njëjta nuk i është përgjigjur telefonatave të redaksisë.
Lajçak: Procesi i ri zgjedhor duhet të vazhdojë në mënyrë të pavarur dhe para themelimit të Asociacionit
Zgjedhjet në Veri ka qenë njëra nga temat për të cilat ka folur Përfaqësuesi Special i BE’së për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express.
Ai tha mbledhja e nënshkrimeve është hap pozitiv për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.
“Që kur serbët e Kosovës u larguan nga institucionet e Kosovës në veri të Kosovës në nëntor të vitit 2022, ne kemi kërkuar vazhdimisht që serbët t’i përmbushin obligimet e tyre prej Dialogut dhe të kthehen në institucione dhe që Kosova të mundësojë që ky kthim të ndodhë. Mbledhja e nënshkrimeve si fillim është një hap pozitiv për të mundësuar që ky rikthim të ndodhë më në fund.”
Ai shtoi se “rezultati i zgjedhjeve lokale të 23 prillit ka treguar se sa komplekse dhe e brishtë është situata”.
“Mungesa e vazhdueshme e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës dhe vakuumi që ata lanë nuk është i qëndrueshëm dhe nuk është i favorshëm për stabilitetin në veri të Kosovës dhe përfaqësimin e institucioneve të Kosovës. Është shumë e rëndësishme që të kthehemi në një situatë në të cilën serbët e Kosovës marrin pjesë aktivisht në procesin zgjedhor, në qeverisjen lokale, policinë dhe gjyqësorin në veri të Kosovës, siç ka qenë në të kaluarën. Ne kemi nevojë që të dyja palët ta luajnë rolin e vet për këtë”, tha Lajçak në një intervistë për Express.
Kur u pyet se a ka lidhje asociacioni me mbajtjen e zgjedhjeve në veri, ai tha se procesi i ri zgjedhor duhet të vazhdojë në mënyrë të pavarur dhe para themelimit të Asociacionit.
“Themelimi i Asociacionit sigurisht që do të ndihmonte, por procesi i ri zgjedhor duhet të vazhdojë në mënyrë të pavarur dhe para themelimit të Asociacionit”, tha ai.
Erden Atiq, Izmir Zeqiri, Lulzim Peci dhe Ilir Peci u zgjodhën kryetarë pasi fituan zgjedhjet e 23 prillit, të cilat u karakterizuan me dalje të ulët të qytetarëve.
Pasi ata hyrën në objektet komunale në Veri pati protesta të dhunshme që çuan në lëndime të pjesëtarëve të KFOR’it, Policisë e gazetarëve./GazetaExpress/












