
Janë bërë gati tre muaj që nga sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
E, sërish ka paralajmërime se mund të ketë një sulm të tillë të ngjashëm në Kosovë nga ana e Serbisë.
Një paralajmërim të tillë e dha së fundi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Por, rrezikun për këtë e paralajmëroi edhe sot Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së, pas takimit të mbajtur me shefin e AKI-së, Petrit Ajeti.
Lidhur me këto paralajmërime, ish ushtaraku Afrim Veseli, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se ekziston rreziku real për sulme të tilla terroriste dhe sipas tij këto mund të ndodhin në kohë festash.
“Ekziston rrezik real që të kemi sulme të natyrës terroriste në spektër më të gjerë në kontekst të kësaj. Këtij rreziku është vështirë t’i dihet koha e sulmit, por mendoj se shumë reale mund të jetë kohë festash, tërheq vëmendjen e festave të kërshëndellave e sidomos ato të 6 janarit, që kanë edhe karakter fetar për serbët”, vlerëson ai.
Veseli thotë se institucionet e sigurisë në vend dhe KFOR duhet rritur gatishmërinë për t’i parandaluar sulmet e tilla.
“Besoj se institucionet e sigurisë e në veçanti KFOR të rrisin ndjeshëm gatishmërinë për të parandaluar por edhe për të qenë në gjendje ballafaqimi në këto situata”, deklaron Afrim Veseli për Gazeta Blic.
Ndërsa, eksperti i sigurisë Drizan Shala, duke folur për Gazeta Blic lidhur me këto paralajmërime, thotë se deklaratat e Kurtit janë vazhdimësi e atyre të Osmanit dhe se vërehen elemente se grupe të caktuara po përgatisin sulme.
“Sa i përket deklarimeve të Kurtit janë një lloj vazhdimi të deklarimeve të Vjosa Osmanit në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel. Pra, bazuar në informacioneve relevante të mekanizimit të sigurisë në Republikën e Kosovës dhe parterëve strategjik në bazë të asaj dhe rrethanave që jemi dhe mosdistancimi nga ana e politikës zyrtare të Beogradit nga sulmi i 24 shtatorit vërehen elementet e saj të cilat e tregojnë dhe e dëshmojnë që grupe të caktuara janë duke u përgatitur në krye me Milan Radojiçiq dhe eksponentët e tjerë të ekstremit të djathtë për të influencuar një lëvizje të caktuar në varësi të interesave politike që mund t’i ketë tani më qeverisja e re në Beograd të dala nga zgjedhjet e 17 dhjetorit”, shprehet ai.
Sipas Shalës, institucionet e Kosovës po përgatiten për çdo skenar të mundshëm.
“Në bazë të element të caktuara institucionet e Kosovës kanë marrë masat mbrojtëse dhe janë duke u përgatitur për çfarëdo skenari të mundshëm qoftë në pjesën kufitare më Serbinë apo edhe në territorin e Kosovës dhe mbi këtë bazë koordinimi dhe shkëmbimi me partnerët tanë strategjik do jetë çelësi kyç i tejkalimit të çfarëdo mundësie mund të ketë pretenduar apo pretendon Serbia në javët në vijim në territorin e Kosovës, probabiliteti është i madh që edhe mund të ndodhë por a ka indikacione tani më janë të dukshme dhe a ka elemente, ato mund të shihen a mund të kemi impakt të drejtpërdrejte kjo varët nga interesi që mund të ndjek Beogradi zyrtar pas formimit të Qeverisë së re dhe pozicionimit të saj të krijimit të ashtuquajturës botës”, potencon eksperti i sigurisë për Gazeta Blic.
Si impakt të ndonjë lëvizje që mund të cenojë rendin dhe sigurinë në vend dhe rajon mund të jetë synimi i Beogradit për të krijuar botën serbe.
“Mbi këtë narracion edhe në ditën e parë të datës se 17 dhjetori në mbrëmje ku ka dalë presidenti Vuqiq pas fitores në Beograd patëm rreth tij eksponentët e shteteve fqinje, qoftë në Republikën Serpska nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi dhe kjo e jep impkatin e drejtpërdrejt si politika e ekspansioniste e Beogradit zyrtar për të krijuar të ashtuquajturën botën serbe mund të jetë impakt i drejtpërdrejt për ndonjë lëvizje të mundshme politike që mund të cenojë rend dhe sigurinë rajonale që mund të këtë impakt të drejtpërdrejtë në sigurinë politike të Republikës së Kosovës”, deklaron Drizan Shala./Gazeta Blic/











