Kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrja, Donika Gërvalla-Schwarz ishin të pranishëm sot në aeroportin e Prishtinës ku përcollën fluturimin e parë nga Prishtina pa viza të 50 qytetarëve, njofton Veriu Info.
Kurti në Facebook ka njoftuar se premtimi për liberalizimin e vizave është realizuar dhe se tashmë do jemi më pranë njëri tjetrit edhe me diasporë.
Ai gjithashtu bën thirrje që të respektojmë kërkesat dhe kriteret e vendosura me përgjegjësi në mënyrë që të lartësojmë shtetin.
“Kudo që të udhëtojmë, le të kujtojmë e kurrë mos harrojmë se shtëpia jonë është Kosova”- ka shkruar ai.
Postimi i plotë:
Nuk e premtuam, por e realizuam. Liberalizimi i vizave u jetësua sot.
Tashmë do jemi më pranë njëri-tjetrit, edhe me diasporën tonë, për të ndarë së bashku momentet më të rëndësishme në jetët tona.
Nuk do privohemi më nga mundësitë që na paraqiten në art, edukim, sport, kulturë e fusha të tjera. Po forcohet edhe pasaporta e Republikës sonë, si forcim i identitetit dhe dinjitetit tonë si shtet në arenën ndërkombëtare.
Për të shënuar këtë arritje të rëndësishme, bashkë me zëvendëskryeministren, njëherësh ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, përcollëm fluturimin e parë nga Prishtina, pa viza, drejt qytetit të bukur të Vjenës. Janë gjithsej 50 qytetarë, të cilët e fituan këtë mundësi në kuadër të fushatës sonë informuese.
E këtë të drejtë të fituar me vështirësi duhet ta gëzojmë me përgjegjësi. Të respektojmë kërkesat e kriteret sepse kështu respektojmë dhe lartësojmë shtetin.
Kudo që të udhëtojmë, le të kujtojmë e kurrë mos harrojmë se shtëpia jonë është Kosova.













