Afërdita Grapci, zyrtare kryesore e Financave në Ndërmarrjen Publike “Ambienti” në Pejë, nuk është lejuar të hyjë në vendin e saj të punës të hënën. Bordi dhe menaxhmenti i ndërmarrjes e shkarkuan atë jashtëligjshëm nga puna para një muaji. Vendimi i “Ambientit” është rrëzuar nga Inspektorati i Punës.
Inspektorati i Punës ka konstatuar se ankesa e Afërdita Grapcit kundër vendimit të bordit të drejtorëve të ndërmarrjes “Ambienti” në Pejë, rreth shkarkimit të saj nga pozita e zyrtares kryesore të Financave është e bazuar.
Sipas këtij, vendimi Grapcit i lejohet që të kthehet në punë, mirëpo pavarësisht kësaj ajo është ndaluar të ushtrojë pozitën e saj të punës në ndërmarrje të hënën.
Për këtë shkarkim Inspektorati i Punës ka shqiptuar gjobë ndaj Arton Muhaxherit, kryesuesit të bordit të kësaj ndërmarrje.
Në një bisedë telefonike me Paparacin, Grapci ka deklaruar se sot kur ka shkuar për t’u paraqitur në punë asaj nuk i është lejuar hyrja brenda ambienteve të KRM “Ambienti”.
“Kur vijë unë në punë kryeshefi s’ka qenë këtu, njëherë e shtijnë një roje me më qitë prej ndërtesës. Unë nuk dal sepse s’kanë pasur vendim që mua më ndalohet hyrja në këtë ndërtesë, në një ndërmarrje publike. Pastaj vjen shefi i sigurimit njëjtë e thërrasin shefin e sigurimit me më largu prej ndërtesës. E thërrasin Policinë edhe kur vjen Policia thotë na kemi të bëjmë me kryeshefin”, deklaroi ajo për Paparacin.
Grapci shton se pas ardhjes së Policisë dhe kryeshefit, asaj i është thënë se Bordi i Drejtorëve nuk i njeh konstatimet e Inspektoratit të Punës dhe i qëndrojnë pas vendimit që kanë marrë më 6 janar të këtij viti.
“Sipas përgjigjes së sekretarit thuhet se ‘Bordi i drejtorëve nuk e njeh këtë vendim dhe qëndrimi i tyre është të mos e implementojnë këtë vendim, por të qëndrojnë pas vendimit për shkarkimin tim’”, theksoi ajo.
Afërdita Grapci tha se zyra e saj, pavarësisht vendimit të Inspektoratit të Punës, është “e uzurpuar”. Kjo sepse ndërmarrja ka vendosur një ushtrues detyre në pozitën e saj.
Ajo pretendon se punëtorët e KRM “Ambientit”, si sigurimi, ashtu edhe sekretari, kanë pasur presion që të mos e lejojnë të hyjë brenda ndërtesës, “pasi do të pushoheshin nga puna”.
“Vendim me shkrim prej tyne nuk kanë. Veç e kanë thirre sekretarin. As për sigurimin nuk kanë pas vendim me shkrim, veç presione me telefonatë. E njëjta çështje është edhe tek sekretari…Nuk i fajësoj kolegët e mijë të cilët kanë presion, sepse kanë presion se nëse e leni, keni me e hup vendin e punës, këna me ju qitë prej punës. Më shumë preson kanë pasë këta sesa unë”, tha ajo.
Por, si ndodhi shkarkimi i Afërdita Grapcit dhe pse?
Afërdita Grapci tregoi për Paparacin se vendimi për shkarkimin e saj është marrë më 6 janar të këtij viti, pasi kjo e fundit s’kishte pranuar të bëhej pjesë e keqpërdorimeve të bordit të drejtorëve dhe kryesuesit të tij, Arton Muhaxheri.
Afërdita Grapci vendimin për shkarkimin e saj e quan “arbitrar”, shkruan Paparaci.
Ajo thotë se para shkarkimit më 31 dhjetor njëri nga anëtarët e bordit e kishte takuar atë në një restorant afër banesës ku jeton Grapci.
“Me datë 6 Janar të këtij viti bordi i drejtorëve fton një mbledhje të rregullt të Bordit për raportim Janar – Nëntor 2021, me një qëllim të paraparë. Kjo sepse më 31 dhjetor në ora 11:00 njëri prej anëtarëve të bordit të drejtorëve ka ardhur dhe ka kërkuar të pijë kafe me mua në një restorant afër banesës time dhe më ka kërcënuar që nëse nuk i mshefi disa keqpërdorime të cilat janë bërë edhe nuk mshefi një keqpërdorim të auditorit të brendshëm, të cilin ai e ka bo ka me pasë pasoja”, shtoi ajo.
Grapci ka theksuar se auditori i brendshëm, duke hyrë përmes sistemit në të cilin kishte qasje vetëm ajo, ka deklaruar se merr pagë sekondare, ani pse kontrata shkruante ndryshe.
“Auditori i brendshëm, prej korrikut deri në gusht, pa dijeninë time ka hy në sistem të ATK-së dhe e ka deklaruar pagën e tij si sekondare. Unë e kam thirrë kryesuesin e bordit dhe më ka thënë se po dojnë me i ndihmu atij diçka”, deklaroi ajo për Paparacin.
Këto shkelje të auditorit të brendshëm, Grapci i kishte raportuar në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).
Grapci shtoi se kur Krimet Ekonomike kishte ardhur për ta hetuar auditorin dhe ndërmarrjen, ajo ishte kërcënuar se nëse bashkëpunon me policinë do të përballet me pasoja. Pasoja që sipas saj rezultuan me pushimin nga puna.
“Kur kanë ardhur Policia e Krimeve të rënda mua më kanë thënë tu nuk guxon asnjë dokument me ja jep atij. Më datën 31 më ka thanë nëse vazhdon me bashkëpunu ki me pasë pasoja”, përfundoi ajo.
Çka shkruhet në vendimin e Inspektoratit të Punës?
Sipas vendimit të Inspektoratit të Punës, Arton Muhaxheri, në vendimin për shkarkimin e Afërdita Grapcit, nuk i ka respektuar procedurat para ndërprerjes së kontratës për shkak se nuk ka vendosur lidhur me ankesën e Grapcit brenda afatit që parashihet.
Duke u bazuar në këtë Inspektorati ka vendosur që Muhaxherit t’i shqiptojë gjobën prej 2 mijë e 300 eurove, të cilin ai duhet ta paguajë brenda 15 ditësh.
Inspektorati ka konstatuar se arsyetimi i ndërmarrjes për shkarkimin e Grapcit “nuk tregon asgjë sepse nuk ka asgjë të konkretizuar dhe të bazuar në prova.”
Tutje theksohet se Afërdita Grapcit i është mohuar e drejta për t’u ankuar, siç parashihet me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative.
Pas këtij vendimi të dyja palët kanë parashtruar vërejtët e tyre, por që sipas Inspektoratit nuk kanë bazë ligjore, prandaj, vendimi për shqiptimin e gjobës ndaj Arton Muhaxherit, si kryetar i Bordit të drejtorëve është adekuat.












