Ish-kandidati për president, Nasuf Bejta, e ka treguar momentin se si kishte vendosur të ishte kundërkandidat i Vjosa Osmanit në garën për president të vendit, vitin e kaluar.
Ai ka theksuar se ministri i Bujqësisë nga radhët e Listës Guxo, Faton Peci, ishte iniciator që ai t’i bashkohej garës.
“Andaj, Faton Peci, si në shaka, më kishte thënë ‘A i ke fjalët akoma, a guxon ta sfidosh Vjosa Osmanin?’ Iniciativa ka qenë e Fatonit, kam thënë po, nëse kërkohet jam i gatshëm të sakrifikohem, që t’i jepet shansi kësaj fryme të re që po kërkon ndryshim në Kosovë”, tha Bejta për Klan Kosova.
Bejta ka pohuar se në punën njëvjeçare si presidente, Osmani ka dalë nga pritshmëritë e tij.
“Të them të drejtën, e kam të njëjtin mendim si në fillim, si presidente mendoj se është duke na prezantuar dinjitetshëm, është duke kryer punë të mëdha me dinjitet. Mendoj se është duke bërë punë të mëdha. E mira e së mirës është se nuk është duke dëgjuar shumë kritika e fjalë anash, por është duke punuar për vendin, por unë jam pak më tepër i kënaqur sesa në fillim kur ishin në listë të përbashkët”, tha ai.












