Anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka reaguar lidhur me diskursin e luftës i cili ka qenë prezent kohën e fundit në mesin e politikanëve në Kosovë.
Ajo ka thënë se kërcënimet e Serbisë nuk duhet të nënçmohen porse përfshirja e luftës në diskursin publik e dëmton imazhin e Kosovës në botë, raporton Gazeta Online Veriu.info.
“Kosova duhet ta ndërtojë një tregim paqeje e prosperiteti, por fatkeqësisht me këtë mendësi politike të VV-së, ky tregim perceptohet si i zymtë dhe me mundësi shpërthyese. Përhapja e panikës së luftës, me qëllim që qytetarët tanë të mos kërkojnë zhvillim e mirëqenie, në planin afatgjatë do të ketë pasoja të mëdha për vendin.” – shkruan Halimi.
Postimi i plotë i saj:
Kërcënimet e Serbisë kurrë nuk duhet të nënçmohen, porse, përfshirja e luftës dendur në diskursin publik për qëllime populliste e konsum të brendshëm, nuk po e dëmton Serbinë, por fatkeqësisht imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Nuk ka fuqi kredibile financiare në botë që investon kapitalin e vet në një vend ku rreziku potencial për luftë është i lartë. Paqja, siguria e qytetarëve është duke u mbikëqyrë nga aleatët tanë të NATO-s, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kosova duhet ta ndërtojë një tregim paqeje e prosperiteti, por fatkeqësisht me këtë mendësi politike të VV-së, ky tregim perceptohet si i zymtë dhe me mundësi shpërthyese. Përhapja e panikës së luftës, me qëllim që qytetarët tanë të mos kërkojnë zhvillim e mirëqenie, në planin afatgjatë do të ketë pasoja të mëdha për vendin.












