Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi shoqëruar edhe nga i Ngarkuari me Punë në ambasadën amerikane në Tiranë, David Wisner si dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor Arben Kingji ka vizituar bazën ajrore të Farkës, ku panë nga afër dy helikopterët Black Hawk të mbërritur së fundmi në Shqipëri.
Në fjalën e tij, ministri Peleshi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e partnerit strategjik të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke vlerësuar mbërritjen e dy helikopterëve si një nga kapacitetet më të rëndësishme operacionale të vendit tonë në raport me NATO-n.
“Këtë vit është 15-vjetori i anëtarësimit tonë në NATO dhe ne e kemi filluar me një ngjarje të madhe, mbërritja e dy helikopterëve Black Hawk. Është vetëm fillimi. Jemi në bisedime për dy të tjerë në periudhën afatmesme dhe deri në vitin 2030 ne shpresojmë që Shqipëria të ketë një flotë prej 6 helikopterësh Black Hawk. Është një donacion i partnerëve tanë strategjikë të SHBA, por edhe me një pjesë nga buxheti i shtetit. Po ndërtojmë dy hangarë specifikë për helikopterët Black Hawk që do të përfundojnë brenda këtij viti, këtu në bazën ajrore të Farkës”, nënvizoi ministri Peleshi.










