Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha ka drejtuar kritika në adresë të liderëve opozitarë, atij të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Berisha ka thënë se mungesa e lidershipit të tyre në krye të partive që drejtojnë dhe telashet që i kanë brenda strukturave, po i bënë favore Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes.
Deputeti i AAK-së në një deklaratë për Radio 1, thotë se kryetari i LDK-së po i sheh disa ëndrra me ‘rrugën e re’, ndërsa sipas tij, sondazhet i ka në tavolinë se ku gjendet LDK-ja.
“Me Lumirin e me Memlin është problem opozita, kjo duket për shkak të telasheve që kanë brenda strukturave dhe edhe më keq është se në momentin më të keq për Kosovën këta kanë qëlluar liderë të partive të tyre, e me ta është problem me i dalë opozitë Albin Kurtit.
Lumiri po i sheh disa ëndrra me ‘rrugën e re’ por, ai sondazhet i ka në tavolinë dhe e din se LDK-ja nuk janë në atë stadin ku ai po e paraqet. Edhe PDK-ja me Memlin që është shumë djalë i mirë, mirëpo për këtë situatë nuk ka mundësi të bëjë diçka me PDK-në”, thotë Berisha.
Berisha madje thotë se Lumiri e Memli me veprimet ose mosveprimet e tyre po duan t’ia japin edhe një mandat Kurtit në krye të Qeverisë.
Duke folur në ‘RADIO 1’, deputeti i AAK-së ngre dyshime se PDK dhe LDK fal liderëve aktual ndoshta me marrëveshje po duan t’ia lënë edhe nja mandat Kurtit.
“Pra, këta thonë se kjo qeveri i ka bërë shumë të këqija Kosovës dhe po pajtohemi me këtë, mirëpo këta në mungesë të veprimit për front opozitar, po duan t’ia lënë kësaj Qeverie, këtij Albini edhe një mandat.












