As gjatë vitit të ri, kërkesat e vjetra të ShBA-së për Asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk kanë ndryshuar. Deri sa sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me liderët e Ballkanit Perëndimor në Shkup, kërkoi mirëkuptim nga BE-ja lidhur me dialogun me Serbinë, diplomatët amerikanë kërkuan zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe konkretisht zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Çfarë ndodhi?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një konferencë për media në Shkup, pasi përfundoi takimi me BE-në lidhur me planin e ri të financimit mbi 6 miliardë eurosh.
Kurti deklaroi se nuk ka ndonjë ftesë për takim të nivelit të lartë me presidentin e Serbisë.
Ai kërkoi nga BE ta ndajë procesin e antarësimit në BE prej normalizimit të marrëdhënieve, duke theksuar se nuk është kollaj të bisedohet me një shtet si Serbia.
“Duhet të ndahet procesi i anëtarësimit në BE, prej normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E di që në thelb BE-ja e ka fqinjësinë, por edhe ata duhet të na kuptojnë që nuk është kollaj të normalizojmë raportet me dikënd që nuk e ka as normalizimin e as demokratizimin shumë për qejf. Sa i përket dialogut më tutje, kjo zhvillohet në relacionin midis kryenegociatorit Besnik Bislimi, dhe lehtësuesit Lajçak. Tash për tash ky është rrafshi në të cilin do të mund të caktojmë hapat e mëtutjeshëm. Për takimin e liderëve nuk ka diçka të re, për çka ftesa na vjen nga Borrell”, tha kryeministri Kurti.
ShBA-të
Ndërsa. ndihmës Sekretari Shtetëror për Evropë dhe Euroazi James O’Brien, ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia ta zbatojnë marrëveshjen e arritur në Ohër, vitin e kaluar.
Para mediave në Konferencën e Shkupit, O’Brien theksoi se mbështesin fuqishëm marrëveshjen e arritur në Ohër,
“Ne fuqishëm mbështesim marrëveshjen e arritur në Ohër marsin e kaluar, dhe besojmë se të dyja shtetet duhet të angazhohen nëpërmjet dialogut të zbatojnë marrëveshjen plotësisht”, ka thënë O’Brien.
E, Christopher Hill, ambasador i ShBA-së në Serbi, sot ka folur për rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit si valutë në Kosovë.
Hill siç raportojnë mediet serbe, ka thënë se ky vendim ishte një surprizë e panevojshme dhe se SHBA dhe Bashkimi Evropian janë duke monitoruar dhe analizuar nga afër situatën.
Ai ka thënë se tani më e rëndësishme është që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe Kosovës t’i jepet qasje në institucionet ndërkombëtare.
“Në këtë fazë të dialogut që kemi arritur dhe që ka arritur zotri Lajçak duhet të shmangen befasitë e tilla të panevojshme dhe veprimet e njëanshme. Mendojmë se më e rëndësishmja tani është formimi i Asociacionit të Komunave Serbe, por edhe që Kosovës t’i jepet qasje në institucionet ndërkombëtare. Duhet të fokusohemi në këtë dhe të shmangim temat që nuk janë me interes të përbashkët.” – ka thënë Christopher Hill.












