Për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, në veri të vendit janë vendosur tabela në gjuhën shqipe në hyrje të objektit komunal.
Kjo ka ndodhur në komunën e Leposaviqit e cila drejtohet nga Lulzim Hetemi qē vjen prej Lëvizjes Vetëvendosje.
Ekipi i gazetarëve të Veriu.info ka qëndruar sot në këtë komunë ku nga afër e ka parë se në hyrje të objektit të komunës është hequr tabela në gjuhën serbe dhe është vendosur tabela e re në tre gjuhë, shqip, anglisht dhe serbisht, bashkë me simbolet shtetërore.
Gazetari i Veriu.info me këtë rast ka intervistuar kryetarin e Leposaviqit, Lulzim Hetemi, i cili ka dhënë një lajm ekskluziv, se tashmë nënshkrimet e peticionit për largimin e tij nga kjo komunë tashmë janë mbledhur si dhe sot janë dorëzuar nga kryesuesi i Kuvendit komunal në KQZ.
Po ashtu Hetemi ka deklaruar se nuk beson se do të kandidojë më për kryetar të Leposaviqit, nëse mbahen zgjedhjet e reja së shpejti, por deklaroi se çdo zyrë e komunës tashmë ka logo dhe simbolet e Republikës së Kosovës.
Hetemi u bë i njohur në të gjithë Kosovën, pasi për muaj të tërë qëndroi “i ngujuar” në objektin e komunës, por tashmë ka zbuluar për Veriu.info se tash e disa javë nuk qëndron 24/7 brenda objektit komunal por se udhëton rregullisht dhe mban orar të rregullt 08:00 – 16:00.
Për më shumë shikoni intervistën e plotë më poshtë:












