Vala e shkatërrimit të çdo gjëje serbe në Kosovë nën stafetën e Albin Kurtit dhe me heshtjen e madhe të bashkësisë ndërkombëtare vazhdoi edhe sot me pushtimin e strukturave ilegale të Serbisë në komunën e Pejës, Istogut dhe Klinës, shkruan në njoftimin e saj Lista Serbe.
“Me depërtimin brutal të dhjetëra forcave speciale të armatosura në fshatrat serbe, regjimi i Kurtit po kryen spastrim etnik të komuniteteve serbe në Kosovë, ndërsa Bashkimi Evropian hesht dhe KFOR-i nuk reagon në asnjë mënyrë, edhe pse ka obligim të mbrojë paqen, sigurinë dhe lirinë për të gjithë qytetarët pa dallim kombësie”, thuhet në njoftim.
Siç shtohet, është e qartë se regjimi i Kurtit dëshiron të dëbojë institucionet serbe, kishën ortodokse serbe dhe popullin serb, duke përdorur pasivitetin e qendrave të pushtetit perëndimor, të cilat populli serb i konsideron si bashkëpunëtorë të drejtpërdrejtë në këto veprime antiserbe, të qeverisë në Kosovë.
“I bëjmë thirrje popullit serb që të qëndrojë i qetë dhe i përmbajtur që të mos u japë arsye falangave policisë të përdorin forcën dhe të arrestojnë qytetarët serb, të pushtojnë shtëpitë serbe dhe të kërcënojnë sigurinë e familjeve të tyre. Sado e vështirë të jetë është për të gjithë ne, duhet të ruajmë qetësinë tonë dhe njëri-tjetrit, sepse edhe kjo e keqe nuk do të zgjasë përgjithmonë”, thuhet më tej në deklaratën e Listës Serbe.
Më tej theksohet se veprimet e Kosovës duhet të shihen si veprime të okupatorit dhe jo ndryshe, sepse regjimi në Kosovë nuk i respekton as ligjet dhe rregullat e veta që garantojnë të drejtat e popullit serb.
“Ne gjithashtu i bëjmë thirrje vendit tonë që të reagojë sa më shpejt dhe të kërkojë nga Bashkimi Evropian dhe KFOR-i që të pengojnë Kurtin të merret me popullin serb në këto zona, sepse kjo mizori nuk mund të tolerohet dhe do të çojë në eksodin e popullit serb nga vatrat e tyre shekullore”













