Nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu e cila është nga radhët e PDK-së, ka reaguar pas njoftimit të kryetarit Përparim Rama për shkarkimin e drejtorit të Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu
Përmes një postimi në Facebook, Sahatçiu është shprehur se Musliu ka qenë motorri i qeverisjes së mirë të PDK-së dhe se problemi i mbeturinave nuk ka filluar e as nuk është mbyllur me Musliun.
Nënkryetarja e Prishtinës ka deklaruar se shkarkimi i Musliut është bërë në mënyrë të fshehur përmes rrjeteve sociale, pa e komunikuar tek ai dhe tek askush tjetër rreth tij, duke e quajtur këtë si revansh të pastër.
“Ky shkarkim, që i madh e i vogël sot në Prishtinë e di se nuk ka fare të bëjë me mbeturina e me Ilirikun, vjen pasi si PDK ritheksuam publikisht qëndrimin tonë politik që nuk do të mbështesim me asnjë kusht propozimin e tij për këmbim pronash me epiqendër zonën e Badovcit dhe çdo propozim tjetër që dëmton interesin publik”, ka shkruar ajo.
“Më 2 shkurt 2022 me Ilirikun i’u bashkuam qeverisjes në Prishtinë. Më 2 shkurt 2024, Përparim Rama filloi revanshin publik”, ka shtuar tutje Sahatçiu.












