Ka dështuar sërish të miratohet Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor. Atë nuk e kanë përkrahur disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje. Një prej tyre e pamundësoi arritjen e kuorumit për votim.
Paraprakisht, për një amandament i propozuar nga deputeti i VV-së, Visar Korenica, nuk u bë kuorumi.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se kuorumi nuk u arrit shkaku i një deputeti.
“[…] sepse një deputet i mazhorancës qëllimshëm nuk po voton për ta pamundësuar procedimin e projektligjit”, tha Konjufca.
Fjala ishte për deputetin Eman Rrahmani.
Projektligji për shëndetin riprodhues ka dalë në votim tri herë, por në të trija rastet nuk i ka plotësuar kushtet e votimit për miratim.
Konjufca më pas lajmëroi se është një grup i deputetëve të mazhorancës që nuk po votojnë.
Deputeti i VV-së, Visar Korenica, tha se ligji si i tillë është problematik. Ai kërkoi që e drejta riprodhuese t’i njihet vetëm çiftit dhe jo individit.
Projektligji është shtyrë për shqyrtim për një seancë tjetër.












