Nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel, sipas hulumtimit të fundit të Institutit të Prishtinës për Studime të Opinionit Publik (PIPOS), Lëvizja Vetëvendosje do të zinte sërish vendin e parë.
Ky subjekt politik do të merrte 40.9 për qind duke lënë pas Lidhjen Demokratike e Kosovës me 21.5 për qind të votave dhe Partinë Demokratike të Kosovës me 20.4 për qind.
Në fund, sipas PIPOS, do të rënditeshin AAK-NISMA me 9% të votave, Alternativa me 0.10 për qind, Lista Guxo 0.40 për qind e PSD me 0.10 për qind.Në lidhje me rezultatet e këtij sondazhi ka folur për “Gazeta Blic”, drejtori i Informimit në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovë (AAK), Lulzim Blaka.
Blaka tha se një sondazh i besuar do të ishte nëse do të porositej nga të gjitha partitë.
Ai tutje potencoi se nga matjet që ata kanë bërë koalicioni AAK-NISMA gëzon 14% të mbështetjes së qytetarëve.
“Ne nuk kemi marrë pjesë në sponzorime të sondazheve, por është e drejta e VV-së dhe e të gjitha partive ta bëjnë një gjë të tillë.Një sondazh i besuar, do të ishte kur do të porositej nga të gjitha partitë. Sipas matjeve tona të brendshme, mund të ndajë dy elemente me ju: bashkimi opozitar ku bëjnë pjesë AAK, Nisma, DK dhe E2030, për momentin gëzon 14% të mbështetjes popullore” tha Blaka për “Gazeta Blic”.
Sipas tij, koalicioni rreth VV-së, e ka humbur shumicën dhe se nuk e formon dot Qeverinë nëse zgjedhjet do të mbaheshin tani.
“Koalicioni rreth VV-së e ka humbur ndjeshëm shumicën, e me këtë trend, nuk e formon dot qeverinë nëse zgjedhjet do të mbaheshin këto ditë.
Bashkimi opozitar, ka filluar të shihet si alternativë serioze e keqqeverisjes së Kurtit” deklaroi Blaka për “Gazeta Blic”.












