Bashkimi Evropian ka miratuar një pako shtesë prej 500 milionë euro për pajisje ushtarake për Forcat e Armatosura të Ukrainës.
Në një njoftim nga Këshilli Evropian i Bashkimit Evropian thanë se javët e ardhshme do të jenë vendimtare.
“Ndërsa Rusia përgatitet për një ofensivë në lindje të Ukrainës, është thelbësore që ne të vazhdojmë dhe të shtojmë mbështetjen tonë ushtarake për Ukrainën për të mbrojtur territorin dhe popullsinë e saj dhe për të parandaluar vuajtjet e mëtejshme”, tha Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Çështjet dhe Politikat e Sigurisë, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv
Këto 500 milionë, e çojnë ndihmën financiare totale nga BE për Ukrainën në 1.5 miliardë euro.
Ndihma financiare u miratua përmes Fondit Evropian të Paqes, ku kjo ndihmë do të përdoret për pajisje mbrojtëse personale, pajisje ushtarake, karburant dhe për ndihmën e parë.
“Këshilli Evropian kërkon që Rusia të ndalojë menjëherë agresionin e saj ushtarak në territorin e Ukrainës”, thuhet në njoftim, përcjell Klankosova.tv.













