
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë mori pjesë në shënimin e Ditës Kombëtare të Irlandës të organizuar nga Ambasada e Irlandës në Kosovë. Në po të njëjtën ditë Irlanda feston edhe festën e Shën Patrikut, i cilësuar ndryshe si shenjtori mbrojtës i shtetit të Irlandës.
Siç thuhet në njoftimin e bërë nga zyra e kryeministrit, Kurti në ceremoni ka deklaruar se Kosova dhe Irlanda kanë pasur gjithmonë marrëdhënie miqësore që nga shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës.
“Ai nënvizoi faktin që Irlanda ishte ndër vendet e para që njohu shtetin dhe shtetësinë tonë, qysh dymbëdhjetë ditë pas shpalljes së pavarësisë. Kryeministri Kurti e cilësoi fuqizimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Irlandës si një nga bekimet e vitit 2024. Në më pak se dy muaj u realizuan dy vizita shtetërore bilaterale. Fillimisht vizita e Kryeministrit të Irlandës, Leo Varadkar në Prishtinë më 10 janar, dhe vizita e Kryeministrit Kurti në Dublin më 29 shkurt dhe 1 mars”, thuhet në njoftim.











