Një çantë që dikur i takonte Valon Hotit, një 16 vjeçar nga fshati Krushë e Madhe në perëndim të Kosovës, është sot pjesë e muzeut kushtuar masakrës në këtë fshat. Valoni ëndërronte të bëhej mjek, po ëndrra e tij mbeti e papërmbushur meqë me 25 mars të vitit 1999, ai bashkë me rreth 250 persona të tjerë u vranë nga forcat serbe. Muzeu është plot me artefakte e rrëfime që kujtojnë ngjarjet e asaj dite.
“Këtu kemi diku mbi 60 artefakte, janë grumbulluar edhe disa më shumë por të ekspozuara nuk janë të gjitha sepse ka material të ndjeshëm shumë. Janë edhe ekranet të cilat i paraqesin intervistat, 202 intervista të marra prej fshatarëve nga profesorët. Intervistat janë të përkthyera edhe në gjuhën angleze dhe serbe dhe çdokush ka mundësi t’i dëgjojë, tre televizorë të mëdhenj pandërprerë transmetojnë këto dëshmi”, thotë Irfon Ramadani, i cili punon si ciceron në këtë muze.
Njëzet e pesë vjet më parë, ndërsa NATO-ja po zhvillonte një fushatë bombardimesh ajrore kundër forcave serbe, ajo në tokë u shfrytëzua nga forcat serbe për sulme hakmarrëse kundër shqiptarëve.












