Ish-deputeti i VV’së, Fatmir Humolli i quan si gabim bisedimet me Serbinë për çështjen e dinarit.
Humolli në një prononcim për GazetaBlic thekson se, a tërhiqet Qeveria nga ky vendim apo jo, ka pak rëndësi, por sipas tij, bisedimet për problemet e brendshme janë gabime fillestare.
“Bisedimet për problemet e brendshme të Kosovës me Serbinë, janë gabimi fillestar. A tërhiqet apo qëndron, për mua ka pak rëndësi”, tha Humolli.
“Qeveria e Kosovës e ka obligim kushtetues, t’i zbatoj ligjet pa e pyetur Serbinë sepse po të ishte pyetur Serbia, ne nuk do të ishim çliruar asnjëherë”, shton ai për GazetaBlic.
Ndryshe, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq do të jenë në Bruksel këtë javë. Lajçak ka thënë se të enjten shpreson se do të jenë në gjendje të kapërcejnë mosmarrëveshjet e mbetura.












