Ministri i punëve të brendshme, Xhelal Sveçla, ka paralajmëruar sulme të reja nga Serbia.
Ai ka thënë se 400 ekstremistë serbë po trajnohen në kufi me Kosovën dhe janë të gatshëm për sulme me një urdhër të Aleksandar Vuçiq.
Lidhur me këto paralajmërime, deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, njëherësh anëtar i komisionit për siguri, thotë se Vuçiq po tenton ta mbajë në tensionin rajonin me përqendrim veriun, që ta pavarësojë atë dhe ta bashkojë Republikën Serbe me Serbinë.
“Vuçiq me çdo mjet e formë politike po provon ta mbajë në tension rajonin me pikë përqendrimi në Veriun e Kosovës, me shkas që në këto tensione, të arrijë një qëllim tjetër, që së paku, ta pavarësojë dhe bashkojë Republikën Serbe me Serbinë, duke e shfrytëzuar situatën e favorshme që po i krijon atje Dodiku, një udhëheqës i ekstremit ultranacionalist i proklamuar tanimë si armik i demokracisë, paqes e lirisë. Prandaj, krejt këto kriza të krijuara në Kosovë, janë vetëm për të kamufluar qëllimin e tij (Vuçiqit) për Bosnjën, sepse Serbia e di se Kosova është e pavarur, dhe e paprekshme”, shprehet ai për Gazeta Blic.
Deputeti thekson se Kurti së fundi kërkoi shtim të trupave të NATO-s, ndërkohë që thotë se Kosova është e pavarur dhe merr vendime të pavarura.
“Kjo, jo vetëm për shkak të NATO-s, por edhe për shkak të faktorit shqiptar dhe forcave që tani kanë shqiptarët për t’iu përgjigjur Serbisë. Por, së fundmi, Kurti kërkoi trupa shtesë nga NATO, për shkak të rrezikut nga Serbia, por njëkohësisht shtiret dhe “argumenton” (në fakt zhurmë bën dhe nuk ofron argumente), se Kosova është e pavarur dhe duhet të merr vendime të pavarura e sovrane, dhe së është përfaqësues i Kosovës e jo i ndërkombëtarëve!!!”, thotë Berisha.












