
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka njoftuar se kjo parti sot a ka themeluar nëndegën e saj në Boblingen të Gjermanisë.
Kjo erdhi në kuadër të një angazhimi të shtuar të partive politike në diasporë. Haradinaj tha se diaspora “ishte krah i fortë në të gjitha periudhat për atdheun dhe frymëzim në përpjekjet tona për të arritur deri tek liria”.
“Bashkatdhetarët në diasporë po i ofrojnë mbështetje të fuqishme koalicionit të prirë nga Aleanca, për t’i dhënë Kosovës qeveri fituese. Sot, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në kuadër të shtrirjes në Gjermani ka themeluar nëndegës e saj të radhës, në Böblingen, me ç’rast ka zgjedhur edhe organet drejtuese të saj”, shkroi Haradinaj në Facebook.
Ai shtoi se diaspora po beson se AAK-ja mund ta anëtarësojë Kosovën në NATO.
“Ashtu si dikur që arritëm ta formojmë Ushtrinë e Kosovës, pavarësinë energjetike dhe prodhimin e rrymës nga zero në 900 megavat, si dhe Trepçën si aset shtetëror në bazë të ligjeve të Kosovës, diaspora po beson fuqishëm se Aleanca din dhe mundet ta bëjë Kosovën anëtare të NATO-s dhe me një ekonomi të zhvilluar. Faleminderit kryetarit të Aleancës për Gjermani, Ukë Blaka dhe bashkëpunëtorëve për sukseset e vazhdueshme!”, shkroi Haradinaj.












