Përkundër faktit që kryeministri i vendit, Albin Kurti proklamon se Kosova ka rritjen më të madhe ekonomike në rajon, realiteti është krejt ndryshe.
Shumë lokale jo vetëm në Prishtinë, por në tërë Kosovën, javëve të fundit në dritaret e tyre kanë vendosur mbishkrimin “Lëshohet me qira”.
Konsiderohet se janë hiq më pak se 5 mijë biznese që janë shuar përgjatë vitit 2023.
Të paktën kështu po pretendojnë nga Aleanca Kosovare e Bizneseve.
Ndonëse zyrtarisht janë mbyllur 1600 biznese, në fakt nga Aleanca e Bizneseve thonë se janë mbyllur apo janë shuar rreth 5 mijë biznese. Diskrepanca ndërmjet numrit të bizneseve që janë shuar realisht dhe atyre të mbyllura zyrtarisht, sipas kësaj aleance ka të bëjë me procedurat burokratike tepër të rënda për t’u mbyllur një biznes.
Konsiderohen se janë disa faktorë që kanë ndikuar në mbylljen e shumë bizneseve, si pandemia, kriza globale, ikja e punëtorëve dhe rënia e fuqisë blerëse.
Derisa ekspertët e ekonomisë ngrenë alarmin për trendin e mbylljes së bizneseve, nga shumica parlamentare thonë se Kosova është shndërruar në atraksion të investitorëve.
Në anën tjetër, Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve për emisionin “Expose” prodhim i Gazeta Blic ka dhënë shifra të frikshme të mbylljes së bizneseve.
Ai thotë se për dallim nga viti 2023 ku u mbyllën faktikisht hiq më pak se 5 mijë biznese, këtë vit shton ai, trendi i mbylljes do të vazhdon të rritet.
“AKB që nga viti 2002 dhe këndej bën një studim, hulumtim lidhur me trendin e hapjes dhe mbylljes së bizneseve. Mesatarisht deri në vitin 2020 janë hapur rreth 8 mijë kompani kurse janë mbyllur rreth 2 mijë kompani, brenda vitit. Ky trend ka ndryshuar pas 2020-ës ku shihet numri edhe më i madh i kompanive që janë hapur dhe po ashtu që janë mbyllur. Ne kemi hulumtuar se pse ndodhë kështu dhe çka ka ndodhur. Ka qenë pandemia një nga faktorët që ka ndryshuar statistikat, më pas kriza dhe kjo krizë po vazhdon dhe më tutje dhe bizneset janë në krizë qoftë të krizës globale, të brendshme, po bie fuqia konsumuese por asnjëherë s’ka pasur më shumë kompani të mbyllura faktike, është trefishi i bizneseve në mënyrë ligjore për arsye se procedurat e mbylljes janë tepër të rënda. Nëse vitin e kaluar i kemi pasur të mbyllura rreth 1600 zyrtare, rreth 5 mijë janë të mbyllura apo të shuara brenda vitit, e që këtë vit dyshohet se do të kemi shumë më shumë, për shumë arsye ku bizneset po deklarojnë se ka rënë fuqia konsumuese, ka rënë interesi i punëtorëve për të punuar dhe kjo bën që Kosova të ballafaqohet edhe me mungesë të mbështetjes financiare, bizneset e Kosovës, aty ku është mbështetja financiare është e shtrenjtë, e komplikuar dhe ka burokraci të lartë në banka dhe gjithë kjo po bën që ne vërtet të jemi një shtet konsumues, që gjithmonë prognozojmë apo konstatojmë por nuk marrim vendime në të mirë të zhvillimit ekonomik të vendit”, shprehet ai.













