Mbi 26 milionë euro janë shpenzuar nga buxheti i Kosovës për udhëtime zyrtare brenda dhe jashtë Kosovës gjatë tri viteve të fundit, periudhë kjo që me ekzekutivin e vendit udhëheq Albin Kurti, raporton portali “Front Online”.
Kurti dhe bashkëpartiakët e tij sa ishin në opozitë disa herë i kanë kritikuar drejtuesit e institucioneve qendrore dhe lokale, siç thoshin për luksin e tepruar dhe për udhëtime sa për “të marrë mëditje”, por gjatë mandatit të tyre në krye të Qeverisë ka ndodhur e kundërta, duke vazhduar me avazin e vjetër të shpenzimeve buxhetore.
Sipas dokumentit të shpenzimeve buxhetore për vitin 2023, të cilin e posedon portali “FrontOnline”, institucionet e vendit gjatë vitit të kaluar për udhëtime zyrtare jashtë vendit, mëditje të udhëtimeve, akomodim dhe për transport kanë shpenzuar 8.7 milionë euro.
Këto shpenzimet janë më të larta për 1.5 milionë euro, krahasuar me vitin 2022 dhe për rreth 5.5 milionë euro më të larta se në vitin 2021.
Sipas të njëjtit dokument që e posedon “FrontOnline”, për udhëtime zyrtare brenda vendit, mëditje, akomodim transport, gjatë vitit të kaluar janë shpenzuar mbi 2.8 milionë euro, apo rreth 600 mijë euro më shumë se në vitin 2022 dhe mbi 1 milionë euro më shumë se në vitin 2021.
Opozita qeverinë ‘Kurti’ e kanë cilësuar si kampione të shpenzimeve e lluksit.












