Ish-kryediplomatja e Bashkimit Europian, Catherine Ashton, e cila kishte ndërmjetësuar për disa vjet në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha se i takon BE-së të vendosë se kush do ta zëvendësojë Miroslav Lajçakun në pozitën e të dërguarit për dialogun.
E pyetur nëse Borut Pahor do të ishte zëvendësues i mirë për Miroslav Lajçakun, ajo tha se ish-presidenti i Sllovenisë është një “lojtar i rëndësishëm” në atë që do të ndodhë mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Ajo deklaroi se e respekton shumë Lajçakun dhe se ai ka bërë “një punë të mahnitshme”.
“Unë vij nga një vend që nuk është më në BE dhe nuk mund të ndërhyjë në atë diskutim. I takon BE-së të vendosë se kush do ta zëvendësojë Lajçakun. Kam respektin më të madh për Pahorin. Ai ka bërë një punë të rëndësishme. Çfarëdo që të vendoset, ai është një lojtar i rëndësishëm në atë që do të ndodhë midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, tha Ashton për “Kosovo Online”.













