Vetëm gjatë pesë ditëve të fundit në kuadër të një plani operativ të Policisë së Kosovës për siguri në rrugët e rajonit të Gjakovës, janë shqiptuar mbi 900 gjoba dhe janë konfiskuar 112 patentë shoferi.
Kështu ka bërë të ditur Policia përmes një njoftimi, ku thuhet se në kuadër të Njëjësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor në Gjakovë është themeluar një task forcë pjesë e planit operativ ‘Droni’, me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacionin rrugor, parandalimin e aksidenteve të trafikut, identifikimin e kundërvajtësve, në veçanti identifikimin dhe parandalimin e kundërvajtjeve të rrezikshme.
“Duke marr parasysh numrin e madh të kundërvajtjeve që shkaktojnë drejtuesit e mjeteve, duke rrezikuar jetën e tyre dhe të tjerëve, si masa preventive dhe ndëshkuese në kuadër të aktiviteteve të kësaj task force, nga data 24.05.2024 e deri me datën 28.05.2024, janë konfiskuar si masë mbrojtëse njëqind e dymbëdhjetë (112) patentë shoferi për kundërvajtjet të ndryshme, ndër të tjera për tejkalime në vende të ndaluara, tejkalime të kolonës së mjeteve, mos ndalja në shenjën e dritës së kuqe në vendin ku trafiku rregullohet me semaforë etj.”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, sipas njoftimit, gjatë kësaj kohe janë shqiptuar edhe 902 gjoba për kundërvajtje të ndryshme si: tejkalime të shpejtësisë, përdorimi i telefonit dhe mos vendosja e rripit të sigurisë gjatë ngasjes etj.














