Prishtinë- Në mbledhjen e së hënës të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), u raportua se nga monitorimi i debateve në 10 televizione, është gjetur se në debatet në KTV, TV Dukagjini, ATV dhe TeVe1, është përdorur gjuhë vulgare dhe ofenduese.
Një gjë e tillë, u bë e ditur nga raportimi i zëvendësuesit të kryeshefit ekzekutiv të KPM-së, Faruk Rexhaj.
“Departamenti i monitorimit dhe analizës ka përmbyllur një raport monitorimi, ku janë monitoru debatet, me theks të veçantë Kodi i Etikës për gjuhën vulagre dhe gjuhën e papërshtashme në media”, tha Rexhaj.
Ai bëri të ditur se monitorimi është bërë nga 15 deri më 21 prill dhe si bazë ligjore është marrë Kodi i Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Mediale Audio dhe Audio Vizuele.
Rexhaj bëri të ditur se televizionet që janë monitoruar janë RTK1, TV 21, KTV, TV Dukagjini, RTK2, Klan Kosova, ATV, Kanal 10, TeVe1 dhe T7
“Gjatë këtij monitorimi ka edhe të gjetura, me çka konsiderohet se kanë pasur përdorim të gjuhës së dëmshme që bie në kundërshtim me kodin e etikës. Është gjetur se katër nga këta kanë përdor gjuhë vulgare dhe ofenduese: KTV, TV Dukagjini, ATV dhe TeVe1”, shtoi ai.
Gjithashtu, Rexhaj tha se është bërë edhe monitorimi i skemës programore të të licencuarve, në bazë të raporteve vjetore që i kanë dorëzuar.
“Me çka, kemi ardhë në një përfundim se pothuajse 90% e të gjitha subjekteve transmetuese kanë pësu ndryshime të skemës programore, nga ajo që është lejuar me aktet nënligjore dhe me rregullativën në përgjithësi të KPM-së”, tha tutje ai.
Po ashtu, Rexhaj tha se janë trajtuar edhe 11 ankesa të pranuara nga palët, të cilat sipas tij kryesisht kanë pasur të bëjnë me kontratat që ata kanë me operatorët kabllorë.
“Kryesisht kanë pasur të bëjnë me ankesa rreth kontratave të cilat i kanë të bëjnë me operatorët kabllorë, për mosofrim të shërbimeve të duhura, për mos-shkëputje të kontratës e kësi soji”, tha Rexhaj.
Ndërsa, tha se kanë edhe dy ankesa tjera që janë duke u trajtuar nga ana e Departamentit të monitorimit për Kodin e Etikës. Për njërën ankesë, tha se është ndaj TV Dukagjinit, kurse tjetra ndaj T7.
“Për të gjitha këto, sapo të kemi raportet gati do shkojmë me njoftimet dhe rekomandimet e nevojshme”, shtoi Rexhaj
Në këtë mbledhje, kanë raportuar edhe kryesuesit e katër nënkomisioneve, anëtarët: Besnik Berisha, Luljeta Aliu, Fitim Veliu dhe Fatih Basha.
Gjithashtu, KPM në këtë mbledhje ka aprovuar rekomandimet për ripërtëritjen e licencës për “TVR” dhe “Radio Victoria”, si dhe rekomandimin për miratimin e kërkesës për ndryshim të pronësisë dhe transferim të licencës të “Dasma TV”.
Ndërkaq, në këtë mbledhje KPM e ka gjobitur “Kujtesa Net” me 5 mijë euro, dhe “K Sport 1”, “K Sport 2”, “K Sport 3”, “K Sport 4” dhe “TV KB Peja” me nga 1 mijë euro./BetimipërDrejtësi












