Takimi Kurti-Vuçiq i paralajmëruar për datën 26 qershor nuk u mbajt në Bruksel.
Sipas Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrel, takimi tre palësh nuk ndodhi pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, paraqiti tre kushte të reja.
Në lidhje me këto kushte të paraqitura ka folur për “Gazeta Blic” deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti.
Haliti tha se Kurtin nuk e kanë ftuar atje për t’i vendosur kushte Serbisë dhe as BE-së.
Ai tha se refuzimi i takimit tregon se “luani i gjithpushtetshëm në Kosovë, veproj si frikacak dhe u shëndrrua në lepur i strukur pas shkurreve”
“Kurtin nuk e kanë ftuar atje me i vendos kushte as Serbisë e as BE-së dhe e njëjta gjë vlen edhe për Vuçiqin. Refuzimi i takimit me Vuçiqin, tregon që luani i gjithpushtetshëm në Kosovë, veproj si frikacak dhe u shëndrrua në lepur i strukur pas shkurreve. Mbase s’kishte asnjë rrezik nga dhelpra Vuçiq.
Lideri i fortë duhet të jetë i guximshëm që të merr vendime në interes të vendit aq më shumë që Kurti për zgjedhjen e problemeve me të cilat përballet Kosova, për ti zgjedhur ato, në të mirë të Kosovës e të dy popujve, është i mbështetur e këshilluar nga SHBA, BE, BM dhe gjithë Aleanca Veriatlantike” deklaroi Haliti për “Gazeta Blic”.
Haliti potencoi se Kurti deri në takimin e ardhshëm duhet të kërkojë mbështetje nga politika në Kosovë.
“Mendoj që Kurti gjatë këtyre ditëve deri në takimin e ardhshëm duhet të kërkoj mbështetje nga politika në Kosovë, për ta mbështetur në procesin e zgjidhjes përfundimtare të konfliktit në mes të Kosovës e Serbisë. Ai duhet të tregoj lidership dhe të veproj në mënyrën se si përendimorët i zgjedhin problemet. Duke pasur në krah aleatët, i takon që mos të trembet për ta hedhë hapin i pari”
Deputeti i PDK-së tha se Serbia asnjëherë sdo të pranoj zbatimin e kushteve të tilla të paraqitura nga Kurti.
“Sa i përket tri kushteve, kush e njeh Serbinë dhe mënyren si funksionon ajo, asnjëherë sdo të pranoj zbatimin e tyre. Në tavolinë e pa zhurma me daulle elektorale edhe mund të bisedohet. Ne jemi fitimtarët e luftes, për krimet e veta Serbia do vazhdoj të paguaj çmimin që i takon ta paguaj. Fatura e çmimit për shpalljen e Pavarësise dhe njohjen e saj është në Washington e jo në Prishtinë. Stafeta e lirisë bashkë me obeleskun e madh të lirisë do na dorëzohet shumë shpejtë.Atë nuk duhet ta pengojmë për interesa elektorale” deklaroi Haliti në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic”.
Kushtet e paraqitura nga Kurti janë, formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve, tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023 dhe e kushti i tretë dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës.












