Komuna e Vushtrrisë ka blerë një “autocisternë zjarrfikëse” të vitit 1994, në vlerë prej 69 mijë e 468 euro.
Kështu thuhet në të gjeturat e raportit të auditimit për Komunën e Vushtrrisë për vitin 2023.
Për këtë, ZKA thotë se komuna duke blerë automjet 28 vite të vjetër, nuk ka respektuar Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme që lejon përdorimin e automjeteve zjarrfikëse të vjetra deri në 15 vjet.
Në raportin e ZKA-së thuhet se nga zyrtarët përgjegjës, blerja e automjetit të përdorur është arsyetuar me mungesën e buxhetit.
Tutje në raportin e Auditimit thuhet se “Opinioni i KRrPP-së i datës 22.11.2022, shpjegon që prokurimi i mallrave të përdorura nuk rekomandohet, ngase specifikimet teknike që përcaktohen nga autoriteti kontraktues nuk garantojnë domosdoshmërisht se dy apo më shumë mallra që kanë të njëjtat specifikime teknike kanë edhe kapacitetet e njëjta në kushtet e performancës dhe funksionalitetit”.
ZKA vlerëson se blerja e makinerisë së vjetër ndikon në performancën dhe funksionalitetin e automjetit për përdorim në rastet emergjente dhe se “blerja e makinerisë së përdorur vë në pikëpyetje kapacitetin dhe funksionalitetin e përdorimit të tij në raport me paranë e shpenzuar”.
Zyra Kombëtare e Auditimit i ka rekomanduar kryetarit të komunës që të sigurohet që fondet publike për blerje të përdoren në mënyrën ekonomike dhe adekuate dhe se automjetet e dedikuara për njësinë e zjarrfikjes të jenë në përputhje me kërkesat e Udhëzimit Administrativ të MPB-së.
“Ky lloj i kontraktimit mund të bëjë blerjen jo efektive dhe të shkaktojë kosto shtesë financiare për mirëmbajtje dhe servisim për shkak të vjetërsisë së automjetit”- thuhet në raport.