
Sot në qytetin e pavarësisë së Shqipërisë është përuruar shtatorja e Hasan Prishtinës, njëri nga ideologët dhe prijësit e procesit të çlirimit dhe pavarësimit të Shqipërisë.
Shtatorja e Hasan Prishtinës rrezonte në rrezet e diellit pranveror të Vlorës sot, në prani të shumë personaliteteve politike e kulturore nga mbarë trojet shqiptare.
Vepra e skulptorit të njohur nga Mitrovica, Sabri Behramaj, përmbledh më së miri figurën dhe mesazhin që jepet përmes kësaj shtatorje të jashtëzakonshme.
Në këtë ngjarje historike ishin të pranishëm shumë personalitete edhe nga Kosova, përfshirë kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci, deputetja Ganimete Musliu e shumë të tjerë përfshirë edhe atë që e përjetësoi figurën e Hasan Prishtinës në qytetin e Pavarësisë, skulptori mitrovicas Sabri Behramaj.
Kjo është vetëm njëra nga shumë veprat skulpturore të artistit Sabri Behramaj, pasi ka realizuar shumë të tilla gjithandej trojeve shqiptare dhe më gjerë.
Kjo shtatore është financuar nga pasardhësi i Hasan Prishtinës, Mehmet Prishtina.

















