Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, në një prononcim për GazetaBlic, ka theksuar se Qeveria aktuale në krye me kryeministrin Kurti është duke bërë propagandë për çmimet e shtrenjta dhe mungesën e vizitorëve kosovarë në bregdetin e Shqipërisë.
“Rënia e vizitorëve kosovarë në bregdetin shqiptar nuk ka të bëjë as me çmimet e larta dhe as me faktin se kanë zgjedhur vende të tjera për pushime, por ka të bëjë me rënien e standardit të jetesës së qytetarëve të Kosovës si pasojë e keqqeverisjes së Kurtit. Sot qytetarët e Kosovës, i kanë të ardhurat më të ulëta në rajon”, tha Berisha.
Sipas deputetit, qytetarëve do t’iu kufizohen mundësitë për pushime e rekreacion, sepse Qeveria e Kosovës po i shpenzon paratë e tyre.
“Kosova është vendi më i varfër në Evropë pas Ukrainës, e cila është në luftë. Natyrisht, qytetarëve të Kosovës çdo ditë e më shumë do t’iu kufizohen mundësitë për pushime e rekreacion, sepse Qeveria e Kosovës po i shpenzon paratë e tyre, duke i paguar gjykimet/vendimet në arbitrazh, duke i vjedhur në “bukë e zemër”, duke i vjedhur në kontrata njëburimore, në infrastrukturë, në energji, në libra dhe shëndetësi. Prandaj, qytetarët e Kosovës, nuk mund të shkojnë për pushime në Shqipëri”, potencoi ai.
Ai shton se propaganda për çmime të larta në bregdetin shqiptar, është zhvendosje e vëmendjes e popullatës në Kosovë nga korrupsioni dhe hajnia nga qeveria aktuale.
“Ushtria digjitale e VV-së qenka lëshuar në sulm, duke propaganduar për gjoja çmimet e shtrenjta në bregdetin shqiptar dhe mungesën e turistëve nga Kosova atje. Kjo po bëhet për të zhvendosur vëmendjen e popullit të Kosovës nga hajnia, krimi i organizuar dhe korrupsioni, si dhe nga humbja e 21 milionë eurove në arbitrazh, e qindra milionave të tjerë, që po i shkakton kjo qeveri aktuale e dëmshme për vendin. Të gjithë parametrat e veprimit në dëm të vendit dhe qytetarëve kosovarë, e bëjnë këtë edhe një qeveri kuislinge, siç e quan ish-kryeministri z. Haradinaj. (P.S. një personalitet si z. Haradinaj që ka mbajtur pozitat më të larta në shtet, nuk flet pa fakte)”, përfundoi Hisen Berisha.













