Rolin e Gabriel Escobar si zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, nga 19 korrik e ka marrë Alexander Kasanof.
Sipas një zëdhënësi të DASH-it, ai do të angazhohet nga afër edhe me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë dhe me partnerët evropianë, “në rrugën drejt arritjes së një marrëdhënieje të normalizuar, paqësore dhe produktive midis dy vendeve”.
Lidhur me rolin e tij në dialog, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, thotë për Gazeta Blic, se beson plotësisht në zgjedhjet e SHBA-ve dhe shpreson që Kasanof të jetë zgjedhja e duhur në këtë detyrë.
Deputeti pret profesionalizëm të lartë nga ai.
“Pres profesionalizëm të lartë, e gjithashtu pres që ai ta njeh të vërtetën dhe të drejtën, dhe të natyrisht, të punojë fort për të”, vlerëson Lushtaku për Gazeta Blic.
Ai shton se dialogu është kompleks por që beson se Kasanof sikur paraardhësi i tij, do ta japë më të mirën nga vetja në këtë rol që ka.
“Çështja e dialogut është komplekse dhe nuk dua të thellohem në të, ajo çka mund të them unë është që Z.Kasanof, ashtu si parardhësi i tij, ka një rol sensitiv në këtë çështje, por duke e pasur parasysh edukimin, kualifikimet dhe eksperiencat e tij, unë besoj që ai do e japë më të mirën nga vetja dhe do ta mbajë me dinjitet përgjegjësinë që i është besuar”, deklaron deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.











