Veriu.info ka raportuar dje lidhur më hallin e fermerit vushtrrias, Isa Murati, i cili thotë se po rrezikon ta humbet investimin prej 300 mijë euro në bujqësi, shkaku i një rruge publike prej 900 metra që nuk po asfaltohet nga komuna, e cila atij i mundëson qasje në ujin e “Ibër Lepencit” për ujitjen e tokave.
Madje, Isa Murati që vepron në fshatin Bequk ka akuzuar komunën e drejtuar prej Ferit Idrizit se po shtron rrugë private, ndërsa po i anashkalon rrugët publike, me ç’rast edhe ka hedhur akuza për mit-marrje nga zyrtarët komunal të Vushtrrisë. “Rrugë private kanë shtruar, kurse këtë publike jo. Kam dëgjuar që duhet t’i japim 300€, unë s’i kam dhënë” – thotë Murati.
Pas publikimit të këtij artikulli me pretendimet e bujkut, ka reaguar edhe Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Vushtrri, duke ftuar prokurorinë të fillojë hetimet.
“Denoncimi publik i fermerit nga fshati Bequk ndaj Qeverisjes së Ferit Idrizit ku pretendohet për mito, korrupsion dhe asfalltim të rrugëve private duke injoruar kërkesat reale të qytetarëve si rasti i fermerit, janë ftesë publike për prokurorinë ti hetojë këto pretendime, prandaj Lëvizja Vetëvendosje – Qendra Vushtrri inkurajonë prokurorinë të fillojë hetimet”, thuhet në reagimin e VV – Vushtrri, transmeton Veriu.info.
Komunikata e plotë e VV – Vushtrri:
Reagim publik!
Të dashur qytetarë të Komunës së Vushtrrisë, denoncimi publik i fermerit nga fshati Bequk ndaj Qeverisjes së Ferit Idrizit ku pretendohet për mito, korrupsion dhe asfalltim të rrugëve private duke injoruar kërkesat reale të qytetarëve si rasti i fermerit, janë ftesë publike për prokurorinë ti hetojë këto pretendime, prandaj Lëvizja Vetëvendosje – Qendra Vushtrri inkurajonë prokurorinë të fillojë hetimet.
Asfalltimi i rrugëve private me buxhetin publik të komunës, tek sa ka dhjetra rrugë publike në gjendje të mjerueshme, është shkelje flagrante e ligjit, përveçëse shpërdorim i buxhetit dhe dëmtim i interesit qytetarë! Janë edhe dhjetra shkelje që Zyra Kombëtare e Auditorit i ka gjetur në projektet e ndryshe infrastrukturore të Komunës së Vushtrrisë ku nuk janë respektuar specifikat teknike të projekteve në fjalë që duhet hetohen.
Ferit Idrizi duhet të jap përgjegjësi para ligjit nëse këto pretendime vertetohen, ti kërkojë falje publike fermerit dhe mbarë qytetarëve dhe të jap dorëheqje!
Ky nivel i qeverisjes ja ka vështirësuar jetën qytetarëve të Vushtrrisë!













