Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, përmes një reagimi publik ka bërë të ditur se e ka dononcuar në polici pretendimin e një qytetari nga fshati Beçuk, i cili ka deklaruar se ka dëgjuar për t’iu shtruar rruga duhet dhënë 300 euro ryshfet zyrtarëve komunal të Vushtrrisë.
Idrizi në këtë reagim thotë se video është shpërndarë në rrjete sociale, por nuk përmend faktin se është një kronikë e realizuar nga Veriu.info, medium i themeluar para më shumë se një dekade, duke u munduar kështu ta minimizoj efektin e raportimit medial.
Në këtë reagim të Ferit Idrizit është interesant fakti se ai nuk i mohon pretendimet se zyrtarët komunal të Vushtrrisë kërkojnë ryshfet qytetarët për t’ua shtruar rrugët.
Ndryshe, Veriu.info ka raportuar dje lidhur më hallin e fermerit vushtrrias, Isa Murati, i cili thotë se po rrezikon ta humbet investimin prej 300 mijë euro në bujqësi, shkaku i një rruge publike prej 900 metra që nuk po asfaltohet nga komuna, e cila atij i mundëson qasje në ujin e “Ibër Lepencit” për ujitjen e tokave. Isa Murati që vepron në fshatin Bequk ka akuzuar komunën e drejtuar prej Ferit Idrizit se po shtron rrugë private, ndërsa po i anashkalon rrugët publike, me ç’rast edhe ka hedhur akuza për mit-marrje nga zyrtarët komunal të Vushtrrisë. “Rrugë private kanë shtruar, kurse këtë publike jo. Kam dëgjuar që duhet t’i japim 300€, unë s’i kam dhënë”, thotë Isa Murati.
Postimi i Ferit Idrizi:
REAGIM ME SHKAS DHE DENONCIMI NË POLICI
Dje në rrjetet sociale është shpërndarë një video, përmes së cilës një qytetar nga fshati Beçuk, deklaron, se nga ana e zyrtarëve të Komunës së Vushtrrisë i janë kërkuar 300 euro që t’i shtrohet në zhavor rruga e rendit të katërt.
Me qëllim të zbardhjes të së vërtetës, menjëherë rastin e kemi denoncuar në Polici, ndërsa falënderojmë dhe inkurajojmë të apostrofuarin që t’i paraqes me fakte, emrat e personave (zyrtarëve) që pretendon se kanë kërkuar mjete financiare, në kundërshtim me ligjin, për shtrimin e rrugëve në fshatin Beçuk.
Gjithashtu, ftoj të gjithë qytetarët të bashkëpunojnë me komunën, si dhe të denoncojnë në organet kompetente çdo rast të kësaj natyre, ndërsa organet kompetente i ftoj të reagojnë menjëherë ndaj secilit që keqpërdor detyrën zyrtare, si dhe ndaj secilit qytetar që shpif për të krijuar mjegull ndaj qeverisjes që gati për tri vite nuk është përmendur për asnjë aferë korruptive.
Mbesim të palëkundur në mbrojtje të qytetarëve dhe sundimit të ligjit!













