Rastet kur Policia e Kosovës has në personat që mbajnë armë pa leje janë në rritje e sipër dhe kjo vazhdimisht e cenon sigurinë e qytetarëve të vendit si dukuri negative. Në shumicën prej këtyre rasteve të dyshuarit janë të rinj. Njëjtë ka ndodhur edhe mbrëmë, në rrugën “Ismail Kryeziu” në Prizren, ku Policia ka ndaluar dy persona, njëri 21-vjeçar dhe tjetri 23-vjeçar.
Gjatë patrullimit të Policisë në atë pjesë, zyrtarët policorë kanë ndaluar një veturë me targa vendore, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme, ku pas kontrollit të të dyshuarve, A.K., dhe K.T., Sinjali mëson se janë gjetur dy armë të zjarrit dhe një sasi e substancës narkotike.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se Policia ka kryer kontrolle edhe në dy vetura, në një lokal, si dhe një një banesë.
Te dy të dyshuarit janë gjetur po ashtu edhe dy thika e boks hekuri, të cilat janë sekuestruar nga Njësia e Krim teknikës.
Pas arrestimit të të dyshuarve, prokurori i shtetit ka urdhëruar që në lidhje me rastin e posedimit të armëve të iniciohet rast i veçantë, kurse për substancën narkotike të iniciohet rast tjetër.
Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“













