Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka lëshuar një deklaratë duke përcjellë zhgënjimin e thellë të administratës amerikane për veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës ndaj postave serbe në veri të Kosovës.
Sipas deklaratës, këto veprime janë kryer pa koordinim dhe kanë rrezik të shtuar si për qytetarët e Kosovës ashtu edhe për ushtarët e KFOR-it të vendosur në zonë.
ShBA theksoi se lëvizje të tilla jo vetëm që përshkallëzojnë tensionet rajonale, por gjithashtu rrezikojnë pozitën e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar.
ShBA i bëri thirrje që Qeveria “të ndalojë çdo veprim të mëtejshem të njëanshme” dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja që synon normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Reagimi:
Qeveria e SHBA është thellësisht e zhgënjyer nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës kundër degëve të postave serbe në veri të Kosovës.
Veprimet e pakoordinuara të Kosovës i vënë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik më të madh, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar.
Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm të njëanshëm dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.












