
Në qershor të vitit 2015, ishte hapur një konkurs për asistent në një grup lëndësh në lëmin penal. Por, ai ishte anuluar disa muaj më pas.
E disa vite pas këtij konkursi, nje konkurrent që beson se është dëmtuar nga disa persona, ka dorëzuar Kallëzim Penal në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.
Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Prokurorisë, Valon Preteni përmes një përgjigje me shkrim.
“Duke ju referuar pyetjeve tuaja njoftoheni se në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë arrijnë kallëzime penale, e sa i përket pyetjes që ju i referoheni, është dorëzuar një kallëzim penal dhe është ndarë për trajtim”, ka thënë Preteni për jepize.
Në atë Kallëzim Penal, një i dëmtuar akuzon se rektori i UIMB, Alush Musaj, ish-ushtruesi i detyrës së dekanit, Bashkim Preteni, dhe dy zyrtarë të tjerë kanë kryer disa vepra penale.
Sipas Kallëzimin Penal, i dëmtuari thotë se ekzistojnë dyshime të bazuara që në “bashkëkryerje”, katër personat kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Asgjësimi apo fshehja e materialit arkivor”.
Siç mësohet, pala e dëmtuar akuzon Musajn e Pretenin dhe dy zyrtarë të tjerë, se i fshehën disa dokumente nga dosja që ai kishte dorëzuar kur kishte aplikuar në konkurs.











