Fisnik Çerkini
Nuk e mbaj mend se kur e kam dëgjuar për herë të parë fjalën patriot. Me siguri kam qenë shumë i vogël e sipas të gjitha gjasave është përmendur në bisedat e familjes apo e kam dëgjuar nga televizori. Gjithmonë kam pasur një ndjenjë të veçantë për këtë epitet; ndjenjë që çuditërisht sa shkon e forcohet, edhe tash kur shoh se sa gabim ma kanë mësuar kuptimin e kësaj fjale, ata që supozohet te rrisin dhe edukojnë gjeneratat e ardhshme, prindërit dhe mësimdhënësit.
Historia kombëtare që mësohet në shkollat tona, sado e thatë dhe e cunguar që themi te jetë, prapë është baza e parë e informacionit zyrtar që i’u jepet fëmijëve kosovarë rreth të kaluarës së popullit të tyre. Për sa i përket rrethanave dhe mundësive, mendoj se ky është ndër të paktat probleme ku fajin kryesor nuk e mbajmë ne. Për popullin tonë, mbijetesa ishte primare e nga një pjesë e madhe e njerëzve, përparimi intelektual e literar mund të kuptohej si “çallum”. Këtu lind edhe pyetja ime e parë: Duke u nisur nga të kuptuarit e tillë, a u bëmë në fajtorët dhe mirëmbajtësit kryesorë të një problemi që nuk e shkaktuam vet? Dëftimi i mësipërm, sipas mendimit tim është edhe rrënja e një pjesë të madhe të problemeve që shfaqen veten pas përfundimit të luftës së fundit.
Dhuna, mjet i cili ishte i nevojshëm në kohë konflikti, tek populli kosovar vazhdoi të ngadhënjejë edhe në kohë paqeje, sa arriti që kolektivisht të shihej si emërtues i përbashkët i të gjitha zgjidhjeve të mundshme, për çfarë do mosmarrëveshje që kosovarët mund të kenë mes vete. Këtu fillojnë të vështirësohen dhe mjegullohen kuptimet dhe normat shoqërore, e ne fillojmë të kuptojmë se ne Kosove, pushteti i armikut nuk shkaktoi vetëm dëme fizike e materiale, por arriti te mbjelle ne mendjet tona ide qe dërgojnë ne theqafje, e prej tyre, kryesorja qe ata mbollën ishte se dhuna ofron zgjidhje. Shoqëria kosovare, e frikësuar dhe traumatizuar pa fajin e vet nga e kaluara, ka krijuar norma sociale që i shërbejnë më së miri dashakeqëve të popullit të saj. Në çdo problem potencial, përgjigja me potencën më të madhe është dhuna. Duke qenë zgjidhja më e lehtë, dhuna tashmë është bërë edhe vet mënyra e mendimit. Çdo problem kërkon stupcin, e çdo problem pak më i madh, armën e zjarrit. E fatkeqësisht, dhuna ka lëshuar rrënjë aq të thella në këtë popull, sa edhe kuptimi i fjalës patriot asociohet vetëm me dhunën.
Nëpërmjet mos marrjes seriozisht së asaj që proklamojnë e flasin para tyre dhe me fëmijët e tyre, të rriturit e këtij vendi kanë arritur të marrin mbi vete dhe vazhdojnë të rrisin te keqen. Të frikësuar nga një përsëritje e mundshme e te kaluarës se errët, ne shohim çdo ditë rrahje gjoksi e shfaqje trimërie nga njerëz që krijojnë opinionin publik, me shpresën qe do të konsiderohen patriotë. Sepse në mendjet e tyre, patrioti nuk frikësohet dhe është gjithmonë I gatshëm për konflikt fizik. Mungesa e guximit për përleshje, për ta, do të thotë të jesh frikacak, gjë e cila nuk është aspak e vërtetë. Në mendjet e tyre që më shumë kanë nevojë per asistence mjekësore, se sa për hapësirë televizive, mënyra e vetme për ta mposhtur frikën është trimëria e dhunshme, pikërisht vepra e atyre që i frikësoheshim më së shumti.
Mund të ketë një fillim të ri. Mos ti quajmë shkrimtarët tanë me Rilindas. Le të fillojmë t’i quajmë patriotë.
Fjalët që dëgjojmë kanë shumë më shumë peshë se sa kuptimet e tyre të para apo të dyta. Fjalët gjithashtu ndikojnë shumë në formimin e karakterit në një person, gjithmonë duke llogaritur në situatat ku ato përdoren. Brenda popullit tonë tashmë çdo ditë shohim se toni agresiv i fjalëve vetëm sa shkon e rritet. Para kamerës, qoftë asaj profesionale apo asaj të telefonit, nxitja e veprimeve që qojnë para akteve të kryera është gjithmonë propozimi kryesor. Gjithçka ka dy ekstreme, atë te mirë apo të keq, çfarëdo diskutimi të jetë. Në debatin modern shqiptar, ose je krimineli me i madh në botë ose humanisti më i madh në të. Ose je tradhtari më i madh i kombit ose je heroi më i madh që ka ekzistuar gjatë historisë. Ose je patriot ose je “shpiun i Serbisë”. Me një naivitet të pashoq, gjithçka kthehet në personale dhe i gjithë diskutimi përfundon tek trimëria hipotetike e të gjithëve prezent, diskutuesve dhe dëgjuesve. Dhe çfarë është më interesante, asnjëherë, në asnjë situatë nuk diskutohet me të gjitha faktet, sepse ato shtypen me deklarime “se shihemi na” apo “unë e di kon e ke pas babë ti”. Unë e quajta naivitet, por me raste mendoj se duke parë se si masa percepton këtë lloj shprehje, mund të jetë edhe manipulim publik. Ky lloj diskutimi nuk lejon asnjëherë analizë të mirëfilltë të situatës, për dy fakte. E para, kërcënimet brenda diskutimit bëjnë që verdiktet e nxjerra nga këto diskutime të jenë më të dobëta se sa potenciali i plotë që posedojmë. Dhuna verbale shpesh di të frikësoj dhe shpesh të turpërojë, të dyja me të njëjtin rezultat, heshtjen, të cilën nuk kemi luks ta përballojmë, sidomos në këtë kohë. Fakti i dytë, e cili në njëfarë mënyre vjen edhe si derivat i të parit – heshtja e palës së linçuar në momentin kur diskutimet marrin doza kërcënimi e shpifje, nga masa konsiderohet si humbje e debatit nga palës se heshtur, e rrjedhimisht gjuha e dhunës e përdorur nga pala e kundërt kuptohet si fituese, e ky të kuptuar pastaj gjen mbështetje të madhe tek një popull i cili edhe ashtu tashmë sheh dhunën si mjet legjitim.
Dhe kështu, duke u nisur nga pohimi i pare se një popull qe ka kaluar nëpër shumë etapa të dhunshme, ka pranuar si pjesë te identitetit dhunën e si rrjedhojë, me apo pa qëllim, mbyt dhe vazhdon të mbysë çdo tentim për mendim ndryshe dhe besim në tjetrin, nocion ky që është baza e mirëfilltë e çdo demokracie. Kështu, ne çdo mundësi, vlerat patriotike me shumë i’u përkasin atyre që flasin dhunshëm dhe në mënyre agresore, se sa atyre qe duan t’i besojnë një personi nga populli i tyre, duke i shprehur mendimin e tyre të vërtetë, më përpara se duke folur atë që pret masa. Kështu, ne vazhdojmë të mbijetojmë dhe ushqehemi në historinë tonë të kobshme, se sa te shikojmë nga ardhmja. Kështu, ne kemi humbur kuptimin e vërtetë të fjalës patriot.
Unë mendoj se kështu është krijuar gjendja e sotme, pikërisht nga fjalët , te cilat mund t’i ndryshojmë kur të duam, sepse ato tonat janë dhe mund t’i “hajme” si të duam, apo jo? Nëpërmjet fjalëve tona dhe një komunikimi më të butë, gjendja mund të ndryshojë. I japim bisedës një kuptim tjetër dhe në të njëjtën kohë ndërrojmë normat sociale dhe patriotike tashmë të rrënjosura gabim në mendjet tona. Le të mundohemi të zbusim frikën, e të tregojmë se mendja është gjë e madhe. Të ndërrojmë kuptimet e rrënjosura, të hapim mendjet tona dhe më e rëndësishmja, le të fillojmë të flasim me njëri tjetrin. Dhuna nuk është patriotizëm. Dhuna krijon nevojë për patriotizëm, por patriotizëm të vërtetë.