Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka kujtuar kohën e VV’së dhe veprimet e tyre sa ishin jashtë pushtetit.
Mustafa në një prononcim dhënë për GazetaBlic thekson se, ura e Ibrit është dashur të hapet qysh në kohën kur VV’ja e gjuante Qeverinë me bomba molotovi.
Madje Mustafa paralajmëron se nëse ura tentohet të hapet njëanshëm, Kosovës mund t’i kushtojë shumë.
“Ura është dashur të hapet qysh në kohën kur VV e gjuante qeverinë me bomba molotovi. Tani nuk e di se cilat janë arsyet të mos hapet ura, por e di se nëse tentohet të hapet njëanshëm mund të na kushtojë më shumë, pasi SHBA dhe BE e kanë paralajmëruar qeverinë”, thotë Mustafa.
Mustafa tutje shton se, ura nuk bën punë në momentin që në votime nuk arrijnë të dalin as 200 persona të komunave veriore.
Sipas Mustafës, ura hapet vet kur punohet me partnerët ndërkombëtar.
“Kështu çështja mund të bëhet më serioze sesa iu duket atyre që për protagonizëm po defilojnë në veri të vendit. Lëvizja e lirë, rrugët dhe urat e hapura janë norma të demokracisë, siç duhet të jetë edhe integrimi i qytetarëve të veriut në institucione të Kosovës. Nëse nuk arrihet që as 200 prej tyre në katër komuna të binden të dalin në votime, atëherë ura nuk bënë punë. Kjo është arsyeja që të punohet me partnerët tanë që ajo pjesë e Kosovës të ndihet Kosovë e jo Serbi dhe ura hapet vet”, tha Mustafa për GazetaBlic.













