Profesori amerikan, David Philips thotë se i mbështet masa ndëshkuese, por sipas tij, duhet të dihet se ku qëndron problemi.
Philips në një përgjigje dhënë për GazetaBlic thekson se, do të ishte mjaft e dobishme që të ngrihje një komision hetimor në mënyrë që të vlerësohet mirë situata dhe të mbahet përgjegjësi.
“Në frymën e llogaridhënies, unë mbështes masat ndëshkuese, por së pari duhet të përcaktojmë se kush është përgjegjës për problemin. Do të ishte e dobishme të ngrihej një komision hetimor për të vlerësuar situatën dhe për të caktuar përgjegjësinë. Komisioni mund të përfshijë përfaqësues të qeverisë lokale, duke përfshirë kosovarët, serbët, si dhe përfaqësues të BE-së dhe SHBA-së”, thotë Philips.
Madje sipas tij, seanca dëgjimore duhej të mbahet para se të publikohen gjetjet dhe kur të gjendet problemi, autoritetet të veprojnë.
“Seancat dëgjimore publike mund të mbahen përpara se të publikohen gjetjet. Pasi të ketë një përfundim, autoritetet do të veprojnë. Hapja, transparenca dhe bashkëpunimi do të përcaktonin iniciativën. Mund të përfshijë gjithashtu masa për ndërtimin e besimit në nivel komuniteti, në mënyrë që të ketë një proces të vazhdueshëm”, tha Philips për GazetaBlic.
Kujtojmë se, ditë më parë zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka bërë me dije se nëse situata nuk ndryshon, përfshirë këtu edhe çështja e urës së Ibrit, mund të ketë masa ndëshkuese shtesë për Kosovën.












