Analisti politik Shenoll Muharremi dhe ish mbështetës i VV-së ka kritikuar ashpër pushtetin e Albin Kurtit, duke e krahasuar një fotografi të fundit me skenat e takimeve të Slobodan Millosheviqit gjatë viteve 1998-1999.
Muharremi thotë se fotografia, e cila është prezantuar si një dëshmi e bashkëpunimit të gjerë me komunitetet, i kujton propagandën e regjimit të atëhershëm serb, ku synohej të krijohej përshtypja se “gjithçka është në rregull”.
Sipas tij, mesazhi i pushtetit është i ngjashëm: “Krejt po bashkëpunojnë, krejt pakicat janë të kënaqura, vetëm shqiptarët jo.”
Por Muharremi vë në pikëpyetje pikërisht këtë paraqitje të “bashkëpunimit të gjerë”. Ai thekson se në fotografi, përkundër numrit të madh të personave të pranishëm, bëhet fjalë kryesisht për përfaqësues të një partie, ndërsa partitë e tjera të komuniteteve, sipas tij, kanë një mbështetje shumë më të vogël elektorale.
Analisti e sheh këtë si një përpjekje për t’i dhënë pamjes një peshë më të madhe politike sesa ajo që, sipas tij, përfaqëson realisht në terren.












