Figura të njohura politike e biznesore nga Kosova po qëndrojnë në SHBA, si kryeministri Albin Kurti, ish kryeministri Ramush Haradinaj dhe afaristi kosovar Shkëlqim Devolli, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Për dallim nga kryeministri Kurti që po takon biznese e shoqata të ndryshme afaristi Devolli është pritur në Departamentin e Shtetit ku ka zhvilluar takime të rëndësishme.
Devolli shpesh është cilësuar nga Kurti si oligark gjatë kohës sa ishte në opozitë.
Aksionari i Devolli Corporation ka pasur gjatë ditës takime në Departamentin amerikan të Shtetit, ku është pritur nga Anne Morrison, zyrtare për çështje të Kosovës, dhe Robert Morgan, oficer për ekonominë rajonale në Zyrën e Marrëdhënieve të Evropës Jugore dhe Qendrore.
Të enjten, në Washington DC, Shkëlqim Devolli ka realizuar edhe një takim me ish-kryeministrin dhe ish-ministrin e Mbrojtjes së Izraelit, Ehud Barak.
Aty është folur për lidhjet e veçanta historike të shqiptarëve me popullin hebre, si dhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe mundësitë e bashkëpunimit ekonomik me Izraelin.
Devolli e ka shfrytëzuar rastin që ish-kryeminitrit Barak t’i bëjë ftesë që ta vizitojë Kosovën.













