Deputeti i VV’së, Enver Dugolli ka komentuar deklaratat e opozitës se “Qeveria Kurti po shkatërron çdo institucion”.
Dugolli në një përgjigje për GazetaBlic thekson se, Qeveria e Albin Kurti ka shkatërruar krimin e korrupsionin bandat dhe strukturat kriminale.
“Lëvizja Vetvendosje me z. Kurti kryeministër, për këto vite në pushtet ka shkatërruar dhe po shkatërron krimin e korrupsionin, bandat dhe strukturat kriminale e terroriste të cilat që nga ngjizja e tyre (me bekimin edhe të klasës politike shqiptare qe kishin qeverisur për një kohë të gjatë në këtë vend), nuk i kanë sjellë asgjë të mirë vendit tonë”, tha Dugolli.Tutje ai iu përgjigjet opozitës duke thënë se nga qeverisja e Kurtit, po shkatërrohet mendësia qeverisëse kur pasuroheshin individët duke zhvatur asetet ekonomike shoqërore e shtetërore.
“Ka shkatërruar e po shkatërron mendësinë qeverisëse kur pasuroheshin individët duke zhvatur asetet ekonomike shoqërore e shtetërore e ku blerja e falja e tyre bëhej nga eksponent të fuqishëm politik me shifra minimale monetare dhe stërshiteshin të njëjtat me çmime marramendëse për përfitime individuale e grupore”, tha Dugolli.
“Pra, nëse opozita i quan këto “shkatërrim institucionesh”, atëherë mund të ua konfirmojmë edhe njëherë se ky shkatërrim ka për të vazhduar edhe në mandatin tjetër”, përfundon Dugolli për GazetaBlic.
Kujtojmë se, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka akuzuar Qeverinë Kurti për shkatërrim të institucioneve të Kosovës.Ai ka bërë me dije se java e fundit e ka konfirmuar një gjë të tillë.
Në profilin e tij në “Facebook”, Tahiri ka përmendur edhe rastin me RTK-në.“Katastrofa e kësaj qeverisje – shkatërrimi i institucioneve publike e private! Java e fundit ka vërtetuar se çdo institucion dhe projekt që ka prekur kjo Qeveri në këtë mandat është shkatërruar. Shihni çfarë ka ndodhur me televizionin tonë publik, me ekonominë, me mirëqenien qytetare, me tekstet shkollore, e me rrugët e Kosovës. Në katër vjet, çdo projekt, çdo institucion i prekur nga kjo Qeveri, është shkatërruar e dëmtuar rëndë dhe është kthyer mbrapa. Në fund, nuk kanë më asgjë të thonë, përveçse të flasin pa kuptim”, ka shkruar Tahiri.












