I emëruar U.D. i Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë në muajin e kaluar, duket se Njazi Rexha ka nisur menjëherë qasjen reformatore në punën e tij.
Njazi Rexha ka bërë një hap të pazakontë për realitetin kosovar, por pozitiv për interesin e qytetarëve të regjionit të Mitrovicës.
Ai i ka ftuar gjithë qytetarët e interesuar që enjteve nga 13:15 deri në 15:10 t’i pres në takim, raporton VeriuInfo.
“Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë Njazi Rexha, si pjesë e agjendës javore, e ka caktuar ditën e enjtë nga ora 13:15 – 15:10, për takime me qytetarë.
Gjatë këtyre javëve interesimi për takim me U.d. Kryeprokurorin Rexha ka qenë mjaft intensiv. Qytetarët kanë shprehur falënderimin për mundësinë dhe transparencën e treguar nga kreu i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, ndërkaq z. Rexha ka shprehur gatishmërinë dhe përkrahjen e institucionit që ai drejton rreth kërkesave të qytetarëve, duke u dhënë edhe sqarimet e duhura”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës.












