Enver Hasani
Kjo ia fuqizon Serbisë pozitën, si ndaj rusëve e kinezëve, ashtu edhe ndaj SHBA-së e perëndimit, dhe e paraqet si një aktor të pavarur e me politikë të jashtme të qartë. Aleati i tij në “Republika Sërpska”, shihet qartë, e mori mesazhin e Uilliam Burns-it, që iu bë hajmali, ashtu siç e kishte marrë Perves Musharaf. Mbase Kosovën nuk ka nevojë ta kthej në kohë të gurit, sepse edhe ashtu aty jemi: mjafton që liderët kosovarë ta ulin pak tonin e retorikës luftarake e nacionaliste.
Një vizitë pa pompozitet
Këtyre ditëve Ballkanin vizitoi shefi i CIA-s, për publikun krejt pa pritur. Kosova, domosdo që ishte në trajektoren e vizitës së Uilliam Burns-it. A ka pasur mundësi që ai ta vizitoj rajonin pa vizituar Kosovën? Sigurisht që jo? A ishte vizita me shkas Kosovën, apo krejt vendet ku ai qëndroi? Këtë do ta sqarojmë në rreshtat në vijim.
Vizita u bë pa ndonjë pompozitet, siç i ka hije një titullari të organit të tillë të ndjeshëm. Interpretimet e vizitës së Uilliam Burns-it, sigurisht që janë shoqëruar, siç edhe pritej, me ndërfutjen e pikave dhe problemeve të brendshme të secilit vend veç e veç, por edhe të akuzave të ndërsjella mbi fajin – për shqiptarët kjo e ditur botërisht – e presidentit Aleksandër Vuçiq të Serbisë për çdo gjë që ndodh në Ballkan (sic!).
Kjo vizitë më ktheu prapa, në muajt e parë të pasluftës, kur pas gati një dekade jashtë, po kthehesha në Kosovë. Mërgimi, siç e thotë Bedri Pejani në gjyqin kundër tij në Prizren, kishte marrë tiparet e një sëmundje të rëndë dhe me pasoja. Me simptomat e kësaj sëmundjeje të mërgimit po vizitoja miqtë e dashamirët, po bëja vizita më vëllain e shokët te ata që kishin humbur të dashurit e tyre. Në një prej këtyre vizitave, më kujtohet sikur sot, një i moshuar, atëherë mbase në moshën time sot, po tregonte sesi Sllobodan Millosheviqi kishte qenë njeri amerikan dhe kishte pasur një marrëveshje me ta për të shkatërruar ish-Jugosllavinë! Atëbotë isha në vitin e fundit të studimeve të doktoratës, po përgatisja provimin me gojë të njërës prej lëndëve më me peshë në shkencat politike dhe në drejtësi – Teorinë e Marrëdhënieve Ndërkombëtare (TMN). Profesor kam pasur asistentin e Kalevi Holsti-it, mikun tim të mëvonshëm, sot e kësaj dite. Kjo lëndë sqaron në mënyrë krejt shkencore luftën dhe paqen që nga kohët që nuk mbahen mend e deri më sot, pa asnjë dozë konspiracioni, duke përdorur e ndjekur metodologji shkencore, kuantitative e kualitative, me metoda të tyre të panumërta. Mbase duket naive sjellja ime atë ditë, por vërtetë kështu ka qenë: atij që po fliste, me shpresë se kisha hasur në një studiues referencë shkencore të panjohur për mua, ia bëra pyetjen, pa një pa dy: në cilin libër, te cili autor ke lexuar këtë konstatim tëndin zotëri? Duke përzier një çaj “rusi”, ai ma ktheu: njëri më ka thënë mua!”. Miku im që ishte afër, më shkeli syrin dhe kuptova se bëhej fjalë për një tjetër standard të vlerësimit të marrëdhënieve ndërkombëtare, të cilin, në fakt, e kisha ditur dikur, por nga jeta gjatë në mërgim, e kisha pas harruar, e kisha pas nxjerr nga mendja, siç thotë populli. Këtë ndodhi e ndava me lexuesin për të kaluar në rreshtat në vijim te sqarimi krejt shkencor i vizitës së zotit Uilliam Burns në Kosovë dhe rajon.
“Kurtha e Tukiditit”
Është e pabesueshme sa e saktë është – si në matematikë dhe shkencat ekzakte – ligjshmëria e veprimit të shteteve në marrëdhëniet ndërkombëtare. Të pakta janë përjashtimet, ose anomalitë, që nuk shpjegohen me metodologjinë e TMN-së, ku secila prej metodave të përdorura jep një shpjegim të caktuar racional, disa me pak e të tjerat më shumë. Pastaj, në vartësi të studiuesit bëhen edhe klasifikimet dhe analizat e saktësisë së rezultateve të prodhuara në një kohë e hapësirë të caktuar. Realizmi në TMN-në, ka një pajtim të përgjithshëm, ka qenë dhe ngelet teoria më e saktë dhe më e dobishme për sqarimin e sjelljes së shteteve dhe aktorëve të tjerë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Krejt të tjerët që kanë shkruar prej Tukiditi e këndej, përfshirë këtë autorë, kanë thënë shumë pak që ndryshon thelbin e faktorëve kyç që shtyjnë shtetet në luftë dhe në paqe. Janë shkruar me qindra e mijëra faqe nga realistë të ndryshëm, do të shkruhen edhe akoma më shumë, por nuk do të ndryshojnë konceptet bazike të shtjelluara nga Tukiditi në “Historia e luftës së Peleponezit”. Ato do të rafinohen, specifikohen, përpunohen, por pa prekur premisat themelore të teorisë realiste. U mor vesh, Tukiditi nuk e ka quajtur shtjellimin në fjalë realizëm (dhe as teori) librin e tij mbi luftën shumëvjeçare të Peloponezit: të tjerët pas tij ia vënë emrin e tillë, kur njëkohësisht shpallën vetë Tukiditin si mjeshtrin e parë të historisë që përdor metoda shkencore krahasuese.
Në mesin e premisave themelore të Tukiditi ka qenë dhe mbetet shpjegimi shkencor i luftës në mes të Athinës dhe Spartës. Më vonë, nga profesori i Harvardit, Graham T. Alision, kjo u quajt “Kurtha e Tukiditit”. Nga studimi që kishte bërë mbi shkaqet e luftës, nga lashtësia e deri në kohët e fundit, Alison kishte arritur në përfundimin se, nga 16 mosmarrëveshjet e studiuara, 12 kishin përfunduar në luftë. Shkak për këtë kishte qenë tendenca dhe përpjekja e vazhdueshme e një fuqie në rritje, globale ose regjionale, për të zhvendosur apo hequr nga pozita dominuese një fuqi tjetër që kontrollon ose dominon rendin ekzistues ndërkombëtar ose regjional. Prof. Alison këtë e bazonte në premisën themelore të Tukiditit, që thotë se lufta në mes të Spartës dhe Athinës kishte ndodhur për shkak të frikës së Spartës për rritjen e fuqisë së Athinës. Si shkas imediat i nisjes së luftës më 431 dhe përfundoi më 404 p.e.s., ka qenë konflikti në mes të Epidamnosit (Durrësi sotëm) dhe Korkyrës (Korfuzi sotëm), siç kishte qenë shkas imediat i Luftës së Parë Botërore atentati në Sarajevë nga terroristi serb, Gavrilo Princip.
Siguria globale dhe tjetër
Profesori Alison, tezën e tij më 2015, e ka nisur në përpjekje për të shpjeguar raportet SHBA-Kinë. Ka pasur shumë kritika ndaj gjetjeve të tij. Koha çdo ditë e më shumë ka dëshmuar se kritikat kanë qenë pa vend: raporti SHBA – Kinë nuk mund të shpjegohet me teori të tjera të TMN-së, në veçanti jo me teoritë e libralizmit internacional, i cili për dekada të tëra ka ushqyer iluzione se fundi i historisë kishte ndodhur me prishjen e komunizmit ashtu që tani çdo vend autoritar do të joshej me idetë e demokracisë, tregut të lirë, hapjes globale dhe sundimit të ligjit.
Një tjetër premisë e realizimit në TMN-së është ajo se shtetet në marrëdhëniet ndërkombëtare përforcojnë të njëjta detyra, por me kapacitete (mundësi) të ndryshme. Kjo, pra, vlen si për shtetet e vogla ashtu edhe për perandoritë e superfuqitë. Detyra themelore e çdo shteti është vetëruajtja (“self-preservetion”), që arrihet përmes mobilizimit të resurseve ekzistuese materiale, ushtarake, financiare, ekonomike, njerëzore, gjeografike dhe të tjera në funksion të ruajtjes së sovranitetit dhe pavarësisë nacionale. Në mesin e resurseve që mobilizon një shtet, i madh ose i vogël, janë aleancat më të tjerët. Kjo, sepse, që nga kohët e lashta, një shtet i vetëm asnjëherë nuk ka arritur të grumbullojë aq fuqi sa të dominojë krejt të tjerët në sistem. Këtë e bën edhe SHBA-ja vazhdimisht. Vetekzistenca rrezikohet çdo herë kur ekziston një pasiguri globale ose regjionale, për shkak se shtetet, si aktor kryesor të marrëdhënieve ndërkombëtare, hasin në vështirësi kur identifikojnë rreziqet, aktorët e rrezikut dhe motivet e tyre. Këto situata zakonisht lindin në periudhat transitore të pushtetit, global dhe regjional, të cilat ndodhin çdo herë kur një fuqi hegjemone dominon sistemin dhe një tjetër fuqi sfidon këtë hegjemoni.
Frenimi i Kinës si fuqi në rritje
Ka një dekadë që establishmenti dhe teorikët e ndryshëm në SHBA, vejnë në dukje dhe manifestojnë frikën që ekziston nga rritja e shpejtë e Kinës dhe manifestimi nga ana e saj i tendencave të hapura të zgjerimit dhe mosrespektimit të rregullave të lojës të rendit ekzistues ndërkombëtar. Kur një fuqi shfaq hapur tendenca revizioniste, duke kontestuar vlefshmërinë e rendit ekzistues ndërkombëtar dhe regjional, siç po bën Kina në vazhdimësi, në veçanti në hapësirën Indo-Pacifike, atëherë shteti hegjemon duhet të nxjerr mësime nga kjo sjellje revizioniste. Epitomë i kësaj sfide kineze është projekti i njohur si “një rrip – një tokë”. Për të arritur qëllimin e saj final, Kina ka krijuar aleanca dhe ka futur hundët thellë në sferën e ndikimit perëndimor, siç është Lindja e Mesme dhe Ballkani. Ky i fundit me kuptim Serbinë dhe botën serbe. Në Lindje të Mesme, përmes bedelëve të saj, Kina ka arritur të bëj për vete Iranin dhe Arabinë Saudite, pjesën kryesore të rebelëve në Jemen (“Lëvizjen Houdhi”); përmes Iranit dhe Sirisë, ka shtrirë ndikim edhe në Liban. Rusia në këtë mes ka pranuar rolin e vasalit të Kinës, duke ia vënë në disponim Kinës krejt aleatët e saj. Edhe akti terrorist i 7 tetorit të vitit të kaluar kundër Izraelit hyn në këtë grup të përpjekjeve kineze (përmes Rusisë) për të sfiduar rendin ekzistues ndërkombëtar që dominohet nga SHBA-ja dhe perëndimi. Për këtë arsye, në SHBA ekziston një konsensus i gjërë lidhur me Kinën: ajo duhet të frenohet, jo të balancohet. Balancimi i derisotëm nga administratat e ndryshme amerikane nuk kanë dhënë rezultat: Kina vetëm sa ka zgjeruar ndikimin dhe ka sfiduar seriozisht dominimin amerikan dhe perëndimor në rendin ndërkombëtar. Për këtë arsye, ardhja e Donald Trumpit në pushtet dhe ekzekutimi i politikës së jashtme ndaj Kinës, ashtu siç skicohet në “Project 2025” të “Heritage Foundation” përbën një çështje ekzistenciale për rolin dhe pozitën e perëndimit në botë.
Thelbi vizitës së Uilliam Bërns-it
Lëvizjet e Kinës në Lindje të Mesme, në Ballkan dhe gjetiu bëhen me qëllim të largimit të vëmendjes dhe shkapërderdhjes së energjisë dhe resurseve amerikane gjetiu, në mënyrë që, në momentin e caktuar dhe në befasi, të zaptojë lirinë e Tajvanit. Një hap i tillë do të përbënte fundin e sistemit akoma njëpolar ndërkombëtar, ku SHBA-ja dhe perëndimi kanë fjalën kyçe. Një situatë e tillë, pra humbja e Tajvanit, do t’i jepte fund kontrollit perëndimor të rrugëve kyçe të tregtisë ndërkombëtare dhe, për rrjedhojë, dominimit të tij në botë. Ata që kanë kontrolluar rrugët e tregtisë ndërkombëtare në dete e oqeane e kanë bërë ligjin ndërkombëtar. Ky ka qenë dhe ngelet rregulli themelor në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Pikërisht këtu duhet parë thelbin e vizitës së Uilliam Burns-it në Kosovë dhe rajon. Ballkani kohëve të fundit ka shprehur tendenca të theksuara kah dhuna e lufta. Ka qenë e qartë se retorika e luftës nuk ka pasur për burim hallet e brendshme të vendeve të Ballkanit, por nxitjet nga jashtë. Vizitat e shumta të liderëve serbë në Rusi, vizitat kineze në Serbi, orgjitë nacionaliste të liderit të “Republika Srpska”, të gjitha së bashku kanë përçuar mesazhin e qartë: po ndodhte tërheqja e vëmendjes dhe energjisë së SHBA-së dhe aleatëve të saj në këtë pjesë të botës, jo atje ku bëhet balancimi Kinës. Këtij diskursi serb agresiv iu është shtuar edhe ai në Mal të Zi, pas zgjedhjeve të fundit atje, dhe deri diku edhe në Maqedoninë e Veriut (presidentja e këtij vendi hapur ka sfiduar rregullat ndërkombëtare në raport me Greqinë). Lidershipi i Kosovës, ka një kohë, për fat të keq, që ka hyr në vorbullën e retorikës nacionaliste dhe ka luajtur lojën e njëjtë që kanë luajtur ata që kanë pasur agjenda kineze e ruse, duke bërë Kosovën vend të skenave të dhunës, të përdorimit të policisë speciale kundër civilëve, si dhe të padëgjueshmërisë ndaj thirrjeve për siguri e stabilitet rajonal. Njëra ndër thëniet më të bukura që pata dëgjuar nga Alia Izetbegoviq, lideri i myslimanëve të Bosnjë-Hercegovinës, ka qenë ajo kur u kishte thënë boshnjakëve se “luftën do ta humbim atë ditë kur të ngjasojmë me armikun!” Kjo ka ndodhur me Kosovën këtyre dy a tri viteve të fundit: ne filluam të ngjasojmë me retorikën luftënxitëse serbe në shumëçka, pa kuptuar se kjo retorikë plotëson mozaikun e përpjekjeve kineze e ruse për të prishur dominimin amerikan e perëndimor në planin global.
Zgjatja e kësaj gjendjeje në rajon, pa asnjë dyshim, duhet të jetë bërë i patolerueshëm për qarqet amerikane e perëndimore të sigurisë. Gjendja në Lindje të Mesme është gati në prag të shpërthimit, perëndimi dhe amerikanët nuk mund të tolerojnë gjatë një Iran që luan rolin e hegjemonit regjional që bullizon aleatët e tyre. Çdo shpërthim i dhunës atje mund të dal jashtë kontrollit dhe kjo reflektohet në rend të parë në raportet SHBA-Kinë me aleatët e tyre respektivë. SHBA-ja nuk mund ta frenojnë Kinën me Ballkanin që në një moment të caktuar mund të shpërthej më keq se Lindja e Mesme. Ajo nuk mund të qëroj hesapet me Iranin agresiv kur një grupim i aleatëve të saj mysliman potencialisht mund të zhyten në konflikt në Ballkan. Një konflikt i tillë, në dukje do të mund të shfaqet si fetar dhe me këtë të plotësojë dëshirën ruse e kineze për konflikt fetar në Ballkan. Një gjë e tillë do të ishte kthim në fillim të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Këto janë disa nga skenarët që përplotësojnë thelbin e vizitës së Uilliam Bërns-it në rajon: për ta frenuar Kinën, fuqinë në rritje dhe sfiduesin kryesor të rendit ndërkombëtar, SHBA-ja dhe perëndimi duhet t’i frenojnë aleatët e tyre, duhet t’i vejnë nën kontroll të rreptë. Ndryshe, nuk mund të dinë se ku janë, në rast të një shpërthimi të dhunës në Lindje të Mesme. Mesazhi thelbësor, pra, që ka sjellë Uilliam Bërns-i në rajon, pa asnjë dyshim, ka qenë i njëjtë për të gjithë: përmbahuni nga retorika luftënxitëse dhe shfrytëzoni ombrellën e sigurisë që ofron NATO-ja, për paqe e prosperitet, për progres dhe zhvillim njerëzor. Është fakt i keq që Kosova ka lejuar të futet në kategorinë e njëjtë me liderët agresivë në rajon, të cilët, pas vizitës Uilliam Bërns-it, u dorëzuan duke e bërë të qartë se nuk janë kundër integritetit të Bosnjë-Hercegovinës. Ka gjasë të madhe që mesazhi për Milorad Dodikun të këtë qenë i ngjashëm me mesazhin që presideni Xhorxh Bush i Riu ia kishte dërguar ish-presidnetit Perves Musharaf të Pakistanit: nëse vazhdon me mbështetjen e talebanëve, do të të kthejmë në kohë të gurit! Kaq ashpër mund të kenë qenë Uilliam Bërns-i edhe më të tjerët, përfshirë disa liderë në Kosovë, por kjo mbetet të shihet. Fundja, nuk çon asnjë peshë toni i mesazhit që është lënë parapa në Kosovë. Ajo që çon peshë është fakti se krejt rajoni, në sytë e SHBA-së dhe perëndimorëve, është një dhe i vetëm, zonë e sigurisë së NATO-s dhe aleatëve të tyre. Aktorët e Ballkanit duhet të sillen konform këtij postulati. Jam i sigurt që publiku në Kosovë do të kursehet, tani e tutje, nga retorika e shfrenuar anti-Serbi e anti-Vuçiq, e tregimeve për luftë e për vuajtje të popullit të Kosovës, të cilat i dimë të gjithë shumë më mirë se retorikët.
Dy çështje lokale dolën në syprinë me këtë vizitë të shefit të CIA-s: e para, arsyet e sigurisë globale dhe barazimi i sjelljes së disa prej liderëve të Kosovës me liderët serbë në rajon; dhe, e dyta, Vuçiq doli paqebërës dhe faktor stabiliteti në rajon: takimi tij me rusët ka për qëllim t’ua përçojë atyre mesazhin se, në rast të një konflagracioni global, Serbia do të rrijë neutrale. E neutraliteti i Serbisë mjafton për amerikanët dhe perëndimin. Këtë duhet ta kuptojnë në Kosovë të gjithë. Edhe këtë herë, si atëherë kur nisi lufta në Ukrainë, Vuçiq u tregua shef i rajonit, që bën paqe dhe, përmes bedelëve të vet, edhe luftë nëse duhet. Kjo ia fuqizon Serbisë pozitën, si ndaj rusëve e kinezëve, ashtu edhe ndaj SHBA-së e perëndimit dhe e paraqet si një aktor të pavarur e me politikë të jashtme të qartë. Aleati i tij në “Republika Sërpska”, shihet qartë, e mori mesazhin e Uilliam Burns-it, që iu bë hajmali, ashtu siç e kishte marrë Perves Musharaf. Mbase Kosovën nuk ka nevojë ta kthej në kohë të gurit, sepse edhe ashtu aty jemi: mjafton që liderët kosovarë ta ulin pak tonin e retorikës luftarake e nacionaliste.
(Autori është kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese dhe profesor i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare)