Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po vazhdon të marr mbështetje të madhe në diasporë nga mërgata kosovare për zgjedhjet e 9 shtatorit 2025, raporton Gazeta Demos.
Këtë e dëshmon një takim që anëtari i kryesisë së AAK-së, Daut Haradinaj, ka zhvilluar me bashkëatdhetarë në Fribourg të Zvicrës.
Në këtë takim shihej një pjesëmarrje masive, ku salla e takimit ishte e mbushur me bashkatdhetarë.
Me këtë rast, Haradinaj tha se mërgatës duhet t’i krijohet hapësirë për të investuar në Kosovë.
“Një bisedë e jashtëzakonshme në Friburg të Zvicrës me vëllezërit tanë shqiptarë. Kjo energji dhe ky potencial që e zotërojnë diasporën tonë është një mundësi e jashtëzakonshme që t’u krijohet hapësirë në vendlindjen e tyre për të investuar, për të qenë aktivë në jetën dhe vendimmarrjen e legjislativit tonë”, tha Haradinaj përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook.
Sipas tij, mërgata kërkonte që të hiqen burokracitë në Kosovë për të investuar.
“Të arriturat tona si shtet lidhen drejtpërdrejt me mbështetjen e pakursyer të vëllezërve tanë në diasporë. Kosova ka nevojë si asnjëherë më parë për vlerat e tyre si në aspektin akademik ashtu edhe në aspektin ekonomik. Mikpritja e organizuar nga Valdrin Hasanaj dhe familja e Zhelhasanëve si dhe bashkatdhetarë të shumtë, më bën të besoj se suksesi s’do të mungojë. Shumë nga miqtë që takova kërkonin eliminimin e burokracive që ka Kosova”.
“Qeveria e ardhshme duhet të hapë një departament të veçantë për investimet e diasporës dhe duhet të shfrytëzohet përvoja akademike e vajzave dhe djemve nga diaspora. Të gjithë ishin të gatshëm për mbështetje të zhvillimit ekonomik të Kosovës, andaj ky kapacitet ekonomik i diasporës tonë duhet të shihet si mundësi e jashtëzajonshme që rinisë sonë t’i krijojmë perspektivë për zhvillim e mirëqenie në Kosovë, e jo atë ta kërkojnë jashtë saj”, ka theksuar ai. Sipas tij, AAK-ja ka shtrirë aktivitetet e saja në diasporë për t’iu ofruar mërgatës një alternativë në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.













