
Ish-themeluesi i Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe UÇK-së, Muhamet Kelmendi, në një intervistë ka folur në lidhje me raportet që kishin me Ibrahim Rugovën.
Kelmendi tha se kanë qenë pjesë e dy strukturave organizative të ndryshme, struktura të cilat, nuk kanë qenë në bashkëpunim dhe afërsi me njëra tjetrën.
Ai tha se fërkimet dhe mos-marrëveshjet ishin të mëdha mes LPK-së dhe LDK-së.
“Ne kemi qenë dy struktura organizative të ndryshme. Unë i takoj strukturës organizative të themeluar nga Jusufi dhe Kadriu, të Lëvizjes Popullore Socialiste të shqiptarëve në Jugosllavi të themeluar në vitin 1982 dhe pastaj të kaluar në vitin 1987 në Lëvizjen Popullore të Republikës së Kosovës në Konferencën e parë të Përgjithshme ku jam zgjedhur nënkryetar dhe në Konferencën e dytë Përgjithshme nga Lëvizja Popullore e Republikës së Kosovës është shëndërruar në LPPK ku ka patur jetë deri 1999 ku e thashë më herët që njerzit që erdhën në pushtet e shkatërruan UÇK-në dhe LPK-në. Këto dy organizam, LPK në njërën anë dhe LDK-ja në anën tjetër siç ishte Rugova nuk kanë qenë në bashkëpunim njëra me tjetrën dhe në afërsi. Fërkimet kanë qenë të dukshme, mosmarrëveshjet ishin të mëdha sepse ne ishim për një organizim të brendshëm mbi bazat e një organizimi luftarak ndërsa zoti Rugova ishte për forma paqësore, gandiste, të një rezistence paqësore për të cilën unë kisha mendim por edhe të tjerët kanë patur mendim se nuk na dërgojnë në drejtim të realizimit të Pavarësisë së Kosovës. Cka edhe u pa edhe me vite të tëra pastaj ku erdhi deri tek ajo që të bëhet një Luftë Çlirimtare dhe kësisoj të vije deri tek bombardimi i caqave të veçanta nga NATO për çka folëm edhe forcat serbe detyrohen të lëshojnë Kosovën dhe kemi këtë Kosovë që është sot” tha Kelmendi për “Gazeta Blic”.
Kelmendi tha se i kishin dërguar dy herë letra zyrtare Presidentit Rugova, për bashkëpunim, por se i njëjti nuk i’u ishte përgjigjur.
Ai tha se i është përgjigjur vetëm një herë Adem Demaçit.
“Ajo të cilën ndoshta është mirë me theksu këtu, për ç’ka përpjekjet tona, se zoti Rugova i kemi dërguar dy herë letra zyrtare në emër të Kryesisë dhe UÇK-së për bashkëpunim sepse ishte President i vendit dhe si i tillë i takonte me marr detyrën e Presidentit në udhëheqjen dhe komandimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të forcave luftarake për çlirimin e vendit. Nuk është përgjigjur në një thirrje të tillë dhe nuk është përgjigjur as në vitin 1993 kur ishte mbledhja e të gjitha subjekteve politike në Tiranë ku morën pjesë të gjitha me përjashtim të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Shqipërisë që ishte Sali Berisha ishte zgjedhur President i vendit. As në vitet e mëvonshme 96-97, të vetmen kërkesë që iu përgjigj ka qenë Adem Demaçi i cili në vitin 96 arrin me bindë Qeverinë e Kosovës me dhanë 2-4 muaj nga 30 mijë marka për UÇK-në por më vonë nuk ia japin sepse ishin kërkesa të cilat ishin të pakapshme që smund të realizoheshin dhe kësisioj s’ka patur bashkëpunim midis njërës dhe tjetrës deri në vitin 1999 kur fillojnë bombardimet dhe FARKU (Forcat e Armatosura të Kosovës) marrin shenjat e UÇK-së dhe futen në luftë” tha Kelmendi në intervistën e dhënë për “Gazeta Blic”











