Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka reaguar në lidhje me komentin e ambasadorit të Serbisë në ShBA, Marko Gjuriq i cili gjatë një përplasje me ish-ambasadoren e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku e ka quajtur “bashkëkombëse” këngëtaren kosovare me famë botërore, Dua Lipa.
Shpend Ahmeti ka thënë se është shumë krenar për tenistin serb nga Zveçani, Novak Djokoviq.
“Duke lënë mënjanë komentet urrejtëse, jam shumë krenar për bashkëkombësin tonë të dashur, Novak Gjokoviq pasi ju konfirmuat se është nga Zveçani, edhe pse ai mund të mendojë ndryshe për ndonjë çështje politike dhe vaksinat”, shkroi Ahmeti në Twitter.
Njoftimi i tenistit serb Novak Gjokoviq të martën se i është dhënë leja për të garuar në Australian Open pa dëshmuar se është vaksinuar, i përplasi Vlora Çitakun dhe Marko Gjuriqin.
“Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerët”, shkroi nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku në Twitter.
Duke reaguar, Gjuriq e akuzoi Çitakun për gjuhë të urrejtjes në baza etnike e në fund në debat e përfshiu edhe Dua Lipën, të cilën e quajti “bashkëkombëse”.
“Duke lënë komentet urrejtëse anash, jam shumë krenar për bashkëkombësen tonë të dashur Dua Lipa edhe pse ajo mund të mendojë ndryshe për çështjet politike”, ka përfunduar Gjuriq.













